Në bashkëpunim me Zyrën Ligjore të Kryeministrit, EUKOJUST organizoi të martën, më 13 shtator 2022, një punëtori për Analizën Kushtetuese për “Pastrimin e legjislacionit”.
“Pastrimi i legjislacionit” nënkupton heqjen e çdo paqartësie ekzistuese apo të vazhdueshme në lidhje me ligjin në fuqi në Kosovë.
Ndryshimet relativisht të shpeshta dhe drastike të autoriteteve gjatë dekadave të fundit në Kosovë kanë rezultuar në lloje të ndryshme të legjislacionit në fuqi, duke krijuar huti dhe zbatim jokoherent të ligjeve nga gjykatat dhe institucionet e tjera publike.
Rezultati përfundimtar i këtij aktiviteti është analiza gjithëpërfshirëse kushtetuese e legjislacionit në fuqi në pajtim me kushtetutën e Kosovës dhe Rregulloren e UNMIK-ut Nr. 1999/24. Drafti i parë i analizës u diskutua sot me akterët përkatës. Të gjitha të dhënat e paraqitura sot do të pasqyrohen në versionin përfundimtar të draftit. Takimi shërbeu edhe si një ngjarje sensibilizuese ku çështjet e identifikuara në raport do të diskutohen me akterët përkatës siç janë gjyqtarët, këshilltarët juridikë nga Kuvendi i Kosovës dhe Gjykata Kushtetuese dhe zyrtarët ligjorë nga ZLZKM-ja dhe nga Ministria e Drejtësisë.
Duhet të theksohet se përkundër ndryshimit thelbësor që u krijua me miratimin dhe hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në qershor të vitit 2008 dhe dispozitave të saj ligjbërëse – duke përfshirë vazhdimësinë e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe legjislacionit në fuqi – megjithatë nuk ka pasur ndonjë akt juridik të mëvonshëm që do të shfuqizonte ose zëvendësonte formalisht Rregulloren e UNMIK-ut Nr. 1999/24 për Ligjin në Fuqi në Kosovë.
Pas miratimit të Kushtetutës së Kosovës në vitin 2008, u vendos një rend krejtësisht i ri, duke përfshirë llojet e burimeve dhe hierarkinë e normave. Ndër të tjera, Kushtetuta përmban një dispozitë kalimtare, që parashikon vazhdimin e zbatimit të legjislacionit që ishte i zbatueshëm në datën e hyrjes në fuqi të Kushtetutës për aq sa ky legjislacion është në përputhje me Kushtetutën “derisa të mos shfuqizohet, zëvendësohet ose amendamentohet”.
Sido që të jetë, edhe pse Kushtetuta nuk parasheh më shpalljen e Rregulloreve të UNMIK-ut si të tilla, ajo padyshim që nuk i shfuqizon ato automatikisht ose nuk e zhvlerëson vazhdimësinë e tyre, të paktën jo derisa të shfuqizohen, zëvendësohen ose ndryshohen me akte të njohura në Kushtetutë.
Ekspertët e EUKOJUST-it i morën komentet, sugjerimet dhe propozimet për adresimin e çështjeve të diskutuara gjatë punëtorisë dhe do t’i pasqyrojnë ato në Analizën përfundimtare Kushtetuese për Ligjin në fuqi në Kosovë, e cila do të ndahet me të gjithë akterët përkatës.