Kategori
Uncategorized

Aktivitetet dhe rezultatet e reformës në drejtësi u diskutuan në takimin e nëntë të Komitetit Drejtues

Në takimin e nëntë të Komitetit Drejtues të projektit që u mbajt të mërkurën, më 25 janar 2023 në Prishtinë, u diskutuan aktivitetet dhe të arriturat e Programit të Bashkimit Evropian për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë – EUKOJUST në periudhën tetor-dhjetor 2023.

Takimin e bashkëkryesuan z. Enver Fejzullahu, Drejtor i Akademisë së Drejtësisë së Kosovës, dhe z. Volkmar Theobald, udhëheqës i ekipit të EUKOJUST. Zëvendës Ministri i Drejtësisë z. Blerim Sallahu, Gjyqtarja e Gjykatës Supreme, znj. Valdete Daka, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Albert Zogaj, zëvendës kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Veton Shabani, Drejtori i Zyrës Ligjore të Zyrës së Kryeministrit z. Mentori Borovci, Drejtorja e Projektit EUKOJUST nga IRZ znj. Teresa Thalhammer si dhe z. Nicola Scaramuzzo nga Zyra e BE-së në Kosovë ishin të pranishëm në takim.

Gjatë prezantimit të të arriturave të tremujorit të fundit të vitit 2022, projekti EUKOJUST nënvizoi përmirësimet në dy segmente: Konsolidimi dhe përafrimi i kornizës ligjore dhe institucionale me Aquis të BE-së dhe zbatimi i ligjeve si dhe Qasja në Drejtësi, veçanërisht për gratë dhe grupet e pafavorshme.

Gjatë kësaj periudhe, projekti ka vazhduar të ofrojë mbështetje profesionale në reformimin e sistemit të drejtësisë duke i ndihmuar institucionet përfituese.

Mes tjerash, mbështetje është ofruar në proceset dhe çështjet në vijim: përgatitja e mekanizmit koordinues ndërinstitucional për monitorimin e zbatimit të Strategjisë së Sundimit të Ligjit (2022-2025) dhe adresimin e çështjeve të rëndësishme që lidhen me këtë proces; Plani i Veprimit dhe Vlerësimi i Përgjithshëm i Sistemeve të TIK-ut në Sektorin e Drejtësisë, i cili është thelbësor për të pasur një sistem të drejtësisë që është transparent dhe efikas për qytetarët e Kosovës; hartimi i Planit Zhvillimor Strategjik (PZHS) dhe riorganizimi i MD-së sipas rekomandimeve të projektit, si dhe puna në Koncept Dokumentin për Reformën e Drejtësisë Administrative në Kosovë.

Pas diskutimit, anëtarët e Komitetit Drejtues me të drejtë vote u dakorduan për datën e takimit të radhës të Komitetit Drejtues dhe për kryesimin e tij, përderisa projekti EUKOJUST e prezantoi planin e punës për tremujorin e ardhshëm.

Kategori
Uncategorized

10 punëtori të organizuara në vitin 2022 për qasjen në drejtësi për personat e cenueshëm dhe grupet e margjinalizuara

Me një ekip ekspertësh vendorë dhe ndërkombëtarë, ekspertja e EUKOJUST-it për Qasje në Drejtësi, Alina Matache, ka zhvilluar aktivitete të rëndësishme për ngritjen e kapaciteteve në bashkëpunim të ngushtë me Akademinë e Drejtësisë të Kosovës (AD), Odën e Avokatëve të Kosovës (OAK) dhe Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas (ANJF).

Aktivitetet në formën e punëtorive dhe trajnimeve kanë kontribuar në rritjen e aftësive të gjyqtarëve, prokurorëve dhe profesionistëve ligjorë lidhur me kornizat ndërkombëtare, rajonale dhe kombëtare të të drejtave të njeriut mbi gjuhën e urrejtjes dhe krimin e urrejtjes, dhunën gjinore dhe atë të motivuar seksualisht, standardet për mbrojtjen e personave me aftësi të kufizuara dhe anti-gjipsizmin, ku fokus i veçantë i është kushtuar praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (KDPAK).

Kategori
Uncategorized

Ministria e Drejtësisë e Kosovës merr përvojat kroate për fuqizimin e sundimit të ligjit

Një delegacion i Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës, i kryesuar nga Ministrja Albulena Haxhiu, ka zhvilluar një vizitë mes homologësh në Republikën e Kroacisë, të organizuar nga Programi EUKOJUST.

Delegacioni i Kosovës, i përbërë nga përfaqësues të Ministrisë dhe EUKOJUST-it, fillimisht u takua me Ministrin e Drejtësisë dhe Administratës Publike, Ivan Malenica. U diskutuan tema të ndryshme nga sfera e drejtësisë siç janë funksionimi dhe organizimi i Ministrisë, dixhitalizimi i gjyqësorit, funksionimi i sistemit për mbështetjen e dëshmitarëve, si dhe marrëdhëniet dhe bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve të pavarura në gjyqësor.

Gjatë vizitës, delegacioni i Kosovës pati një takim me Kryetarin e Këshillit Gjyqësor Shtetëror, Darko Malekoviq dhe Zëvendëskryetarin e Këshillit Shtetëror Prokurorial, prof. Ph.D. Elizabeta Iviçeviq Karas. Dita e tretë e vizitës vazhdoi me takime me Kryeprokurorin e Shtetit, Kryetarin e Gjykatës Supreme të Republikës së Kroacisë, Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese dhe Kryetarin e Komisionit Parlamentar për Drejtësi.

Delegacioni Kosovar e vlerësoi të dobishme vizitën, ngase ishte një mundësi e mirë për tu njohur për së afërmi me praktikat e mira të institucioneve të Kroacisë në fuqizimin e sundimit të ligjit.

Kategori
Uncategorized

Tryezë e rrumbullakët për koordinimin ndërinstitucional në lidhje me shërbimet e përkthimit dhe interpretimit

Në Prishtinë është mbajtur tryezë e rrumbullakët për Bashkëpunimin dhe Koordinimin ndërmjet shërbimeve të përkthimit të Policisë së Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Tryeza u organizua dhe është moderuar nga Ekspertja e EUKOJUST për Qasje në Drejtësi, Alina Matache dhe është mbështetur nga Ekspertja e EUKOJUST për Menaxhimin e Shërbimeve të Përkthimit në Gjykata dhe Prokurori, Filloreta Hoxha.

Kjo tryezë ishte një mundësi unike për të tri institucionet për të diskutuar sfidat dhe mundësitë në lidhje me ofrimin e shërbimeve të përkthimit dhe interpretimit dhe më vonë të hartohet një Memorandum Mirëkuptimi,  i cili do të rregullojë bashkëpunimin. Komisioneri  për Gjuhë nga Zyra e Kryeministrit, Slavisa Mladenovic, si folës kyç, gjithashtu përsëriti rëndësinë e përputhshmërisë së gjuhës dhe koordinimit ndërinstitucional.

Kategori
Uncategorized

Hartimi i Planit Strategjik për Arkivat e Gjyqësorit

Në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme për Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), të hënën, më 12 dhjetor 2022, projekti EUKOJUST organizoi një punëtori për hartimin e Planit Strategjik për Arkivat e Gjyqësorit.

Qëllimi i punëtorisë ishte prezantimi dhe diskutimi i gjetjeve dhe rekomandimeve të draftit fillestar.

Plani Strategjik thekson me përpikëri dhe në mënyrë sistematike praktikat e pamanovrueshme të cilat e pengojnë efikasitetin për sistemimin, automatizimin dhe digjitalizimin e arkivimit të lëndëve në të gjitha gjykatat në mbarë Kosovën. Draft Plani Strategjik përcakton në mënyrë pragmatike veprimet specifike për ndërhyrje dhe propozon mjetet dhe veprimet e nevojshme drejt digjitalizimit dhe automatizimit të arkivave në gjykata.

Kryesuesi i KGJK-së, z. Albert Zogaj, e mirëpriti punëtorinë dhe mbështetjen e EUKOJUST-it për zhvillimin e Planit Strategjik të Arkivave. Ai u zotua për mbështetje proaktive të KGJK-së në miratimin e Strategjisë.

Kategori
Uncategorized

𝑪𝒊𝒌𝒍𝒊 𝒊 𝒇𝒐𝒓𝒄𝒊𝒎𝒊𝒕 𝒕𝒆̈ 𝒌𝒂𝒑𝒂𝒄𝒊𝒕𝒆𝒕𝒆𝒗𝒆 𝒕𝒆̈ 𝒂𝒗𝒐𝒌𝒂𝒕𝒆̈𝒗𝒆 𝒑𝒆̈𝒓 𝒎𝒃𝒓𝒐𝒋𝒕𝒋𝒆𝒏 𝒏𝒈𝒂 𝒅𝒉𝒖𝒏𝒂 𝒏𝒆̈ 𝒇𝒂𝒎𝒊𝒍𝒋𝒆 𝒑𝒐 𝒗𝒂𝒛𝒉𝒅𝒐𝒏

Cikli i trajnimeve për zhvillim të kapaciteteve profesionale të avokatëve mbi kornizën ligjore ndërkombëtare dhe kombëtare për mbrojtjen nga dhuna në familje ka vazhduar më një trajnim njëditor të mbajtur në Gjakovë. 42 avokatë nga ky rajon, të licencuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK) morën pjesë në trajnimin e zhvilluar nga Ekspertja Afatgjatë e Projektit EUKOJUST për Arsimim Publik Juridik /Dhunë në Familje dhe Grupet e Margjinalizuara, Bardhë Krasniqi.

Trajnimi “Roli i avokatëve në përfaqësimin e viktimave të dhunës në familje”, i mbajtur më herët edhe në regjione tjera të Kosovës, po ashtu ka për qëllim të zhvillojë aftësitë e buta të avokatëve për të kuptuar dinamikën e situatave të dhunës në familje. Trajnimi është organizuar si pjesë e programit të arsimimit të vazhdueshëm ligjor nën ombrellën e OAK-së.

Aty u diskutua nevoja e zbatimit të standardeve të të drejtave të njeriut siç janë Konventa e Stambollit, Konventa për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe përdorimi i praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në jurisprudencën e Kosovës si dhe standardet e reja të parapara në Kodin e ri të Procedures Penale i cili do të zbatohet në vitin 2023.

Trajnimi ngriti standardin e praktikës për avokatët që merren me rastet e dhunës në familje, dhe ata të cilët merren me rastet tjera të përgjithshme, duke i pajisur me mjetet e nevojshme për të trajtuar dhunën në familje ose për të kontrolluar për abuzimin në familje dhe për të ofruar këshilla të përshtatshme ligjore kur dhuna në familje identifikohet si problem.

Pjesëmarrësit e vlerësuan pozitivisht trajnimin nga i cili përfituan si nga pikëpamja profesionale ashtu edhe nga përvoja e mirë e trajneres.

Trajnimi u organizua në kuadër të objektivës specifike të projektit EUKOJUST për forcimin e qasjes në drejtësi për të gjithë qytetarët në Kosovë, veçanërisht në fushën e dhunës në familje dhe grupeve të cenueshme apo të margjinalizuara.

Deri më tani Projekti EUKOJUST ka trajnuar mbi 260 avokatë në katër regjione të Kosovës, ndërsa trajnimi i fundit është mbajtur në kuadër të fushatës “16 ditë të aktivizmit” kundër dhunës me bazë gjinore.

Kategori
Uncategorized

EUKOJUST mbështet KGJK-në në zhvillimin e Sistemit të e-Dosjeve për Gjyqtarët

Përfaqësuesit e Projektit EUKOJUST së bashku me përfaqësuesit e Zyrës së BE-së dhe kompaninë e përzgjedhur për zhvillimin e sistemit të e-Dosjeve për gjyqtarët, mbajtën takimin e parë njoftues me Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Grupin Punues për të filluar punën drejt zhvillimit të këtij sistemi.

Përmes këtij aktiviteti, Këshilli Gjyqësor i Kosovës synon krijimin e një sistemi të avancuar për menaxhimin elektronik të dosjeve të gjyqtarëve. Ky sistem elektronik do t’i mundësojë KGJK-së të kryejë dhe menaxhojë proceset kritike që kanë të bëjnë me rekrutimin e gjyqtarëve të rinj, vlerësimin e performancës, zhvillimin profesional, avancimin e gjyqtarëve dhe zbatimin e procedurave disiplinore në mënyrë më efektive dhe transparente.

Kategori
Uncategorized

SMIL-i – një mjet efektiv që përdoret gjerësisht nga prokuroritë në Kosovë

Sistemi për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL) tani zbatohet dhe përdoret në të gjithë sistemin prokurorial të Kosovës. Pas një faze fillestare pilotimi, aktualisht SMIL-i është një mjet kritik që përdoret nga prokurorët dhe administrata në kryerjen e veprimtarisë së tyre gjyqësore. Ky është një hap i rëndësishëm përpara në modernizimin dhe digjitalizimin e veprimtarisë prokuroriale dhe gjyqësore të Kosovës.

Megjithatë, si me çdo sistem të ri të zbatuar, praktika është gjithmonë më e ndërlikuar sesa mendohej fillimisht. Prandaj, më 17 dhe 18 nëntor 2022, projekti EUKOJUST organizoi një punëtori me përdoruesit kryesorë dhe menaxhmentin e lartë të sistemit prokurorial në Kosovë, duke iu ofruar praktikuesve një platformë për diskutimin e gjetjeve, për identifikimin e sfidave dhe për të gjetjen e zgjidhjeve. Në të njëjtën kohë, u inkurajua komunikimi i brendshëm horizontal ndërmjet prokurorive, duke ditur që zgjidhjet janë pikërisht aty; ato thjesht duhet të identifikohen dhe të ndahen me kolegët.

Kategori
Uncategorized

Koncept dokumenti për Gjykatën Administrative dhe të Punës afër finalizimit

Me mbështetjen e Programit EUKOJUST përgjatë dy ditëve, 14 e 15 Nëntor, 2022 u mbajt punëtoria e Grupit Punues mbi Koncept Dokumentin për Gjykatën Administrative dhe të Punës.

Punëtoria ishte vijim i punës për kryerjen e përbashkët të reformave në mes të Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Gjyqësor dhe Gjykatës Supreme, një kordinim ky i facilituar nga Progarmi EUKOJUST.

Punëtoria filloi me një prezantim të analizës krahasuese të strukturave institucionale për drejtësi administrative në disa vende të BE-së dhe të rajonit, nga z. Visar Morina, Ekspert i EUKOJUST-it për Drejtësi Administrative. Më pas, pjesëmarrësit paraqitën pikëpamjet e tyre mbi seksionet e vecanta të koncept dokumentit, i cili do të përcaktojë formën e reformës që do të implementohet për sa i përket kornizës institucionale gjyqësore mbi drejtësinë administrative.

Kategori
Uncategorized

Rritja e bashkëpunimit ndërmjet Akademisë së Drejtësisë së Kosovës dhe Shoqërisë Civile lidhur me trajnimet gjyqësore

Pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Akademisë së Drejtësisë së Kosovës dhe disa organizata të shoqërisë civile (OSHC), duke themeluar Rrjetin e Miqve të Akademisë, EUKOJUST organizoi më 7 nëntor 2022. tryezën e tretë të rrumbullakët për të diskutuar programin e trajnimit të Akademisë.

Drejtori i Akademisë, Enver Fejzullahu, i informoi OSHC-të për aktivitetet e realizuara gjatë vitit 2022 dhe draft programin e trajnimit të vitit 2023 me fokus trajnimin e specializuar për krimin e organizuar, korrupsionin, dhunën në familje dhe qasjen në drejtësi.

Gjatë tryezës, u trajtuan prioritetet e kurrikulave të trajnimit në fusha të caktuara tematike, duke përfshirë propozimet e moduleve specifike nga OSHC-të pas vlerësimit të nevojave të tyre.

Gjithashtu, u hap një kënd i veçantë i Rrjetit të Miqve të Akademisë, i cili u përfshi në faqen e internetit të Akademisë. Këndi do t’u ofrojë mundësi OSHC-ve të ndjekin nga afër aktivitetet e përbashkëta dhe rezultatet e bashkëpunimit ndërmjet AD-së dhe OSHC-ve.

Tryeza e parë iu kushtua lansimit të konceptit të Rrjetit për disa OSHC dhe rëndësisë së tij në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet OSHC-ve dhe AD-së në drejtim të trajnimit gjyqësor. Tryeza e dytë iu kushtua nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet OSHC-ve dhe AD-së. Përveç kësaj, pjesëmarrësit patën gjithashtu mundësinë të shkëmbejnë informacion mbi cilësinë e kurrikulave të trajnimit dhe mësimin e të rriturve në sektorin gjyqësor, duke përfshirë prezantimin e praktikave më të mira në metodologjinë e trajnimit gjyqësor.

Kategori
Uncategorized

EUKOJUST po ndihmon në ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomën e posaçme të Gjykatës Supreme

Programi EUKOJUST ka mbështetur Ministrinë e Drejtësinë dhe Grupin Punues në një punëtori dy ditore për hartimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-086 për Dhomën e posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Punëtoria është mbajtur më 3 e 4 nëntor 2022.

Kjo përbënë një iniciativë të përbashkët dhe të koordinuar në mes të Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Gjykatës Supreme, që është një koordinim i arritur me mbështetjen e Programit për reform të sistemit të drejtësisë në Kosovë, EUKOJUST.

Kategori
Uncategorized

Takimi i tetë i Komitetit Drejtues të EUKOJUST u mbajt në Prishtinë

Takimi i tetë i Komitetit Drejtues të Programit të Bashkimit Evropian për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë – EUKOJUST, u mbajt të enjten, 3 nëntor 2022.

Takimin e kryesoi z. Jetish Maloku – Kryesues i Këshillit Prokurorial, ndërsa morën pjesë Zëvendës Ministri i Drejtësisë z. Blerim Sallahu, Kryetari i Gjykatës Supreme z. Enver Peci, ushtruesi i Kryeprokurorit të Shtetit z. Besim Kelmendi, Drejtor i Akademisë së Drejtësisë së Kosovës, z. Enver Fejzullahu, Drejtori i Zyrës Ligjore të Zyrës së Kryeministrit z. Mentori Borovci si dhe Drejtorja e Projektit EUKOJUST nga IRZ znj. Teresa Thalhammer si dhe z. Nicola Scaramuzzo nga Zyra e BE-së në Kosovë.

Përfaqësuesit e institucioneve kryesore të drejtësisë në Kosovë diskutuan në këtë takim për aktivitetet dhe arritjet e Projektit të cilat u prezantuan përmes raportit tremujor që përfshin periudhën korrik-shtator 2022 si dhe paraqitën pikëpamjet e tyre mbi veprimet që duhen ndërmarrë në vazhdim. Pas diskutimit, anëtarët e Komitetit Drejtues me të drejtë vote u dakorduan për datën e takimit të radhës të Komitetit Drejtues dhe për kryesimin e tij.

Kategori
Uncategorized

Trajnim për akuzimin dhe dënimin e rasteve të dhunës në familje

Ngritja e kapaciteteve profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve përfshirë edhe bashkëpunëtorët profesionalë për “Akuzimin dhe dënimin e rasteve të dhunës në familje” – zbatimi praktik i standardeve ndërkombëtare në trajtimin e rasteve të dhunës në familje duke përfshirë kornizën ligjore kombëtare për mbrojtjen nga dhuna në familje – ishte fokusi i një trajnimi ditor që u mbajt nën ombrellën e Akademisë së Drejtësisë të Kosovës.

Një numër i gjyqtarëve, prokurorëve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë e ndoqën trajnimin e mbajtur nga Ekspertja afatgjatë e projektit EUKOJUST për Arsimim Publik Juridik /Dhunën në Familje dhe Grupet e Margjinalizuara, Bardhë Krasniqi. Trajnimi “Akuzimi dhe dënimi i rasteve të dhunës në familje” dhe materiali përkatës është përshtatur për dhe synon:

– Përmirësimin e reagimit prokurorial dhe gjyqësor ndaj rasteve të dhunës në familje,

– Të kuptuarit e seriozitetit dhe kompleksitetit të rasteve të dhunës në familje për të kontribuar dhe rritur konsistencën në trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe për të zgjeruar burimet e tyre të bazuara në praktikë.

– Mbrojtjen dhe arritjen e akuzimit dhe dënimit të rasteve të dhunës në familje në proporcion me peshën e krimit sipas standardeve ligjore ndërkombëtare dhe kombëtare.

Pjesëmarrësit e vlerësuan shumë këtë trajnim dhe përfituan si nga pikëpamja profesionale ashtu edhe nga përvoja e mirë e trajnueses.

Trajnimi u mbajt në kuadër të objektivës specifike të projektit EUKOJUST për forcimin e qasjes në drejtësi për të gjithë qytetarët e Kosovës, veçanërisht në fushën e dhunës në familje dhe grupeve të pafavorizuara ose të margjinalizuara – dhe është në përputhje me Strategjinë për Sundimit të Ligjit dhe me Strategjinë për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje dhe Dhuna kundër Grave si dhe Planet e tyre përkatëse të Veprimit.

Kategori
Uncategorized

Të Drejtat e Njeriut dhe Personat me Aftësi të Kufizuara

Ndërgjegjësimi i anëtarëve të gjyqësorit dhe stafit të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë ishte temë e trajnimit katër ditor, nga 24 tetor deri më 27 tetor, të mbajtur nga ekspertja afatshkurtër e EUKOJUST, Ina Xhepa.

Ekspertja i ofroi pjesëmarrësve njohuri të nevojshme për standardet kryesore ndërkombëtare për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në kuadër të Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, si dhe u diskutua korniza ligjore përkatëse e Kosovës.

Qëllimi i trajnimit katër-ditor ishte rritja e kapaciteteve të profesionistëve të drejtësisë për të respektuar standardet për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar të përcaktuara nga jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) dhe Konventa për të Drejtat e Njerëzve me Aftësitë e Kufizuara (KDNjAK).

Kategori
Uncategorized

Ngritja e kapaciteteve profesionale në vizibilitet dhe komunikim efektiv

Ngritja e kapaciteteve profesionale të personelit të Ministrisë së Drejtësisë përgjegjës për “Vizibilitet dhe Komunikim Efektiv” ishte epiqendra e trajnimit njëditor të mbajtur më 7 tetor 2022 në Prishtinë. Në këtë ngjarje u trajnuan 12 nëpunës civilë dhe staf i kabinetit të cilët në përgjithësi dhe në mënyrë specifike morën njohuri për komunikimin efektiv dhe ofrimin e vizibilitetit në zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave, duke përfshirë pjesën e komunikimit të fushatës “16 Ditët e Aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”. Trajnimi u mbajt nga Eksperti afatmesëm i EUKOJUST-it për Komunikim dhe Vizibilitet, Berat Kryeziu, me mbështetjen teknike të Ekspertes afatgjatë për Arsimim Publik Juridik /Dhunën në Familje dhe Grupet e Margjinalizuara, Bardhë Krasniqi.

Pjesëmarrësit e vlerësuan shumë këtë trajnim dhe përfituan si nga pikëpamja profesionale ashtu edhe nga përvoja e mirë e ekspertëve.

Trajnimi u mbajt në kuadër të objektivës specifike të projektit EUKOJUST për forcimin e qasjes në drejtësi për të gjithë qytetarët e Kosovës, veçanërisht përmes ofrimit të mbështetjes teknike dhe thelbësore për Ministrinë e Drejtësisë dhe Koordinatoren Nacionale kundër Dhunës në Familje në komunikimin e rezultateve të zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Mbrojtjen kundër Dhunës në Familje dhe Dhunës ndaj Grave 2022-2026 dhe Planit të Veprimit 2022-2024.

Kategori
Uncategorized

Përmirësimi i statusit të nëpunësve civilë në gjyqësor

Nisma për përmirësimin e statusit të nëpunësve civilë në sistemin gjyqësor, e filluar një vit më parë, këtë javë arriti një momentum të ri dhe të rëndësishëm. Përfaqësuesit e drejtësisë, sindikatave dhe shoqatave përkatëse, të ndihmuar nga ekspertët e projektit EUKOJUST, trajtuan çështjet e mbetura gjatë një punëtorie dyditore të mbajtur në Pejë.

Statusi i nëpunësve civilë në gjyqësor është një element kritik i pavarësisë së gjyqësorit dhe kërkon një bazë ligjore, të qartë, të qëndrueshme dhe të parashikueshme. Në këtë kuptim, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, para gati më shumë se dy viteve, vendosi që stafi mbështetës në gjyqësor duhet ta kenë statusin e tyre të rregulluar në mënyrë të pavarur nga nëpunësit e përgjithshëm civil në administratën publike.

Prandaj, projekti EUKOJUST është duke e mbështetur Ministrinë e Drejtësisë, Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës për ta gjetur bazën e përbashkët për një zgjidhje ligjore dhe legjislative. Me të gjithë akterët e përfshirë janë bërë negociata dhe diskutime të gjera, ndërsa të gjitha institucionet e përfshira në proces kanë bërë kërkime dhe dokumentime.

Pas një punëtorie fillestare të mbajtur në muajin mars të këtij viti, në punëtorinë e tanishme projekti EUKOJUST u ofroi të gjitha palëve të përfshira në proces një platformë për ta diskutuar koncept dokumentin dhe për t’i diskutuar dhe debatuar gjerësisht të gjitha opsionet e identifikuara. Qëllimi ishte që të gjitha palët të bien dakord për rrugën që duhet ndjekur, që të gjitha shqetësimet dhe çështjet të adresohen dhe që të gjitha institucionet, sindikatat dhe shoqatat profesionale të rreshtohen për një qasjeje të vetme e cila mund të shtyhet përpara në një projektligj për statusin e nëpunësve civilë në sistemin gjyqësor të Kosovës.

Kategori
Uncategorized

EUKOJUST vazhdon me forcimin e kapaciteteve për mbrojtjen nga dhuna në familje

Zhvillimi i kapaciteteve profesionale të avokatëve rreth kornizës ligjore ndërkombëtare dhe kombëtare për mbrojtjen nga dhuna në familje ishte sfera e trajnimit njëditor të mbajtur të shtunën, më 24 shtator 2022 në Gjilan. Rrth 70 avokatë nga rajoni i Gjilanit, të licencuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK) morën pjesë në trajnimin e mbajtur nga Bardhë Krasniqi, Eksperte Afatgjatë e Projektit EUKOJUST për Arsimim Publik Juridik /Dhunë në Familje dhe Grupet e Margjinalizuara.

Trajnimi “Roli i avokatëve në përfaqësimin e viktimave të dhunës në familje”, i mbajtur më herët edhe në rajone tjera të Kosovës, synon gjithashtu të zhvillojë aftësitë e buta të avokatëve për të kuptuar dinamikën e situatave të dhunës në familje. Trajnimi është organizuar si pjesë e programit të arsimimit të vazhdueshëm ligjor nën ombrellën e OAK-së.

Aty u diskutua nevoja e zbatimit të standardeve të të drejtave të njeriut siç janë Konventa e Stambollit, Konventa për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe përdorimi i praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në jurisprudencën e Kosovës.

Trajnimi ngriti standardin e praktikës për avokatët që merren me rastet e dhunës në familje, dhe ata të cilët merren me rastet tjera të përgjithshme, duke i pajisur me mjetet e nevojshme për të trajtuar dhunën në familje ose për të kontrolluar për abuzimin në familje dhe për të ofruar këshilla të përshtatshme ligjore kur dhuna në familje identifikohet si problem.

Pjesëmarrësit e vlerësuan pozitivisht trajnimin nga i cili përfituan si nga pikëpamja profesionale ashtu edhe nga përvoja e mirë e trajneres.

Trajnimi u organizua në kuadër të objektivës specifike të projektit EUKOJUST për forcimin e qasjes në drejtësi për të gjithë qytetarët në Kosovë, veçanërisht në fushën e dhunës në familje dhe grupeve të cenueshme apo të margjinalizuara.

Kategori
Uncategorized

Trajnim për qasje në drejtësi për grupet e cenueshme

Ekspertja e Projektit EUKOJUST për Qasjen në Drejtësi, Alina Matache, organizoi një trajnim intensiv dy ditorë për qasjen në drejtësi për grupet e cenueshme, ku u përfshinë rreth 35 gjyqtarë, prokurorë dhe bashkëpunëtorë profesional në çështjet penale dhe civile.

Planprogrami i ofruar gjatë trajnimit është hartuar për të ofruar udhëzime për profesionistët e drejtësisë se si të përmirësojnë qasjen në drejtësi për romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët, personat me aftësi të kufizuara dhe komunitetin LGBTI,  si dhe për të ofruar një mjet për institucionet përgjegjës kombëtare për trajnimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve në zbatimin e trajnimit fillestare dhe të vazhdueshëm. Ky udhëzues bazohet në standardet ekzistuese ndërkombëtare, rajonale dhe kombëtare.

Trajnimi u organizua në bashkëpunim të ngushtë me Akademinë e Drejtësisë së Kosovës për të siguruar konsistencë me modulet e trajnimit dhe duke përfshirë dy trajnerë na radhët e gjyqtarëve.

Ekspertet e përfshira në hartimin dhe realizimin e trajnimit ishin Edona Ahmetaj, Ina Xhepa, Fjolla Hoxha dhe Marije Vuksani.

Kategori
Uncategorized

Disa ekspertë janë angazhuar në hartimin e Koncept Dokumentit për Realizimin e të Drejtave Civile

Është duke vazhduar mbështetja për hartimin e Koncept Dokumentit për realizimin e të Drejtave Civile në Kosovë, përfshirë të drejtën për gjykim të drejtë brenda një kohe të arsyeshme dhe mjete juridike efektive, të ofruara nga EUKOJUST. Ekspertja e EUKOJUST-it për Qasje në Drejtësi, Alina Matache, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, Departamenti i Integrimeve Evropiane, organizuan një punëtori dyditore me disa palë të interesuara, përfshirë gjyqtarë, ekspertë ligjorë, nëpunës civilë dhe përfaqësues të Avokatit të Popullit.

Fokusi i seminarit ishte diskutimi i draftit të parë të Koncept Dokumentit, të përgatitur nga znj. Bardha Maxhuni dhe z. Avni Puka. Koncept Dokumenti, një aktivitet i paraparë me Strategjinë e Kosovës për Sundimin e Ligjit, parashtronte sfidat kryesore në realizimin e të drejtave civile në Kosovë. Edhe pse këto të drejta janë të garantuara me Kushtetutë dhe legjislacionin kombëtar, Kosova ende vuan nga mungesa e mjeteve juridike efektive në çështjet penale, civile dhe administrative. U diskutuan dhe iu prezantuan Grupit të Punës disa opsione se si të kapërcehet kjo sfidë. Për më tepër, Eksperti i Kornizës Legjislative të EUKOJUST, Idlir Peci bëri një prezantim mbi praktikat më të mira ndërkombëtare lidhur me këtë çështje. 

Koncept Dokumenti do të integrojë komentet e anëtarëve të Grupit të Punës dhe do të jetë i hapur për konsultim publik në kohën e duhur.

Kategori
Uncategorized

Analiza Kushtetuese për “Pastrimin e legjislacionit” pjesë e agjendës së projektit EUKOJUST

Në bashkëpunim me Zyrën Ligjore të Kryeministrit, EUKOJUST organizoi të martën, më 13 shtator 2022, një punëtori për Analizën Kushtetuese për “Pastrimin e legjislacionit”.

“Pastrimi i legjislacionit” nënkupton heqjen e çdo paqartësie ekzistuese apo të vazhdueshme në lidhje me ligjin në fuqi në Kosovë.

Ndryshimet relativisht të shpeshta dhe drastike të autoriteteve gjatë dekadave të fundit në Kosovë kanë rezultuar në lloje të ndryshme të legjislacionit në fuqi, duke krijuar huti dhe zbatim jokoherent të ligjeve nga gjykatat dhe institucionet e tjera publike.

Rezultati përfundimtar i këtij aktiviteti është analiza gjithëpërfshirëse kushtetuese e legjislacionit në fuqi në pajtim me kushtetutën e Kosovës dhe Rregulloren e UNMIK-ut Nr. 1999/24. Drafti i parë i analizës u diskutua sot me akterët përkatës. Të gjitha të dhënat e paraqitura sot do të pasqyrohen në versionin përfundimtar të draftit. Takimi shërbeu edhe si një ngjarje sensibilizuese ku çështjet e identifikuara në raport do të diskutohen me akterët përkatës siç janë gjyqtarët, këshilltarët juridikë nga Kuvendi i Kosovës dhe Gjykata Kushtetuese dhe zyrtarët ligjorë nga ZLZKM-ja dhe nga Ministria e Drejtësisë.

Duhet të theksohet se përkundër ndryshimit thelbësor që u krijua me miratimin dhe hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në qershor të vitit 2008 dhe dispozitave të saj ligjbërëse  – duke përfshirë vazhdimësinë e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe legjislacionit në fuqi – megjithatë nuk ka pasur ndonjë akt juridik të mëvonshëm që do të shfuqizonte ose zëvendësonte formalisht Rregulloren e UNMIK-ut Nr. 1999/24 për Ligjin në Fuqi në Kosovë.

Pas miratimit të Kushtetutës së Kosovës në vitin 2008, u vendos një rend krejtësisht i ri, duke përfshirë llojet e burimeve dhe hierarkinë e normave. Ndër të tjera, Kushtetuta përmban një dispozitë kalimtare, që parashikon vazhdimin e zbatimit të legjislacionit që ishte i zbatueshëm në datën e hyrjes në fuqi të Kushtetutës për aq sa ky legjislacion është në përputhje me Kushtetutën “derisa të mos shfuqizohet, zëvendësohet ose amendamentohet”.

Sido që të jetë, edhe pse Kushtetuta nuk parasheh më shpalljen e Rregulloreve të UNMIK-ut si të tilla, ajo padyshim që nuk i shfuqizon ato automatikisht ose nuk e zhvlerëson vazhdimësinë e tyre, të paktën jo derisa të shfuqizohen, zëvendësohen ose ndryshohen me akte të njohura në Kushtetutë.

Ekspertët e EUKOJUST-it i morën komentet, sugjerimet dhe propozimet për adresimin e çështjeve të diskutuara gjatë punëtorisë dhe do t’i pasqyrojnë ato në Analizën përfundimtare Kushtetuese për Ligjin në fuqi në Kosovë, e cila do të ndahet me të gjithë akterët përkatës.