Ngritja e kapaciteteve profesionale të zyrtarëve ligjorë të Ndihmës Juridike Falas për “zbatimin praktik të kornizës ligjore ndërkombëtare dhe kosovare për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe zhvillimin e aftësive të buta për dinamikën e situatave të dhunës në familje” ishte fokusi i një trajnimi dyditor që u organizua në koordinim dhe bashkëpunim me Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas.
Shtatë zyrtarë ligjorë të Ndihmës Juridike Falas (NJF) nga të gjitha regjionet e Kosovës dhe zyrat mobile morën pjesë në trajnimin e mbajtur nga Ekspertja afatgjatë e Projektit EUKOJUST për edukimin juridik publik/ dhunën në familje dhe grupet e margjinalizuara, Bardhë Krasniqi. Trajnimi “Zbatimi i kornizës ligjore ndërkombëtare dhe kosovare për mbrojtjen nga dhuna në familje” dhe materiali përkatës është përshtatur për dhe synon që zyrtarëve ligjorë të NJF-së t’iu japë njohuritë dhe aftësitë që iu nevojiten për t’u ofruar viktimave të dhunës në familje ndihmë thelbësore në objektivat e mëposhtme:
- Kuptimi i dinamikës së dhunës në familje,
- Mjetet juridike për dhunën në familje,
- Intervistimi dhe këshillimi i viktimave të dhunës në familje,
- Planifikimi i sigurisë,
- Puna me organet e zbatimit të ligjit,
- Ndjeshmëria kulturore,
- Kujdesi për veten dhe trajtimi i traumave të viktimave të dhunës në familje.
Trajnimi kishte për qëllim t’iu ofrojë zyrtarëve ligjorë të NJF-së informacion të vlefshëm për të siguruar që viktimat e dhunës në familje të kenë qasje në gjykata dhe në mjetet juridike në dispozicion për të trajtuar format e ndryshme të dhunës në familje e që i prekin të drejtat dhe sigurinë e viktimave. Përveç kësaj, qasja në drejtësi shtrihet edhe tek personat që janë të pjesë e jetës së viktimave, si fëmijët ose anëtarët e tjerë të familjes.
Pjesëmarrësit e vlerësuan lartë këtë trajnim dhe përfituan si nga pikëpamja profesionale ashtu edhe nga përvoja e mirë e trajnueses.
Trajnimi u mbajt në kuadër të objektivit specifik të projektit EUKOJUST për forcimin e qasjes në drejtësi për të gjithë qytetarët e Kosovës, veçanërisht në fushën e dhunës në familje dhe grupeve të pafavorshme ose të margjinalizuara si dhe është në përputhje me Strategjinë për Sundimin e Ligjit dhe me Strategjinë për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave bashkë me planet e tyre përkatëse të veprimit.