Pas ndikimit pozitiv dhe realizimit të suksesshëm të sesionit të parë të trajnimit, EUKOJUST në bashkëpunim me EULEX-in, respektivisht Chiara Tagliani, këshilltare për çështje gjinore dhe Christina Malmgren, monitoruese në shërbimin korrektues, si bashkëtrajnuese, mbajti sesionin e dytë për menaxhimin e burgjeve duke u fokusuar në ndjeshmërinë gjinore për Stafin Korrektues të Kosovës.
Në sesionin e dytë morën pjesë drejtori i Qendrës Korrektuese në Lipjan, menaxhmenti i lartë dhe zyrtarët korrektues. Ky sesion rrjedhë si rezultat i vlerësimit të kryer nga EUKOJUST lidhur me qasjen në drejtësi për femrat e burgosura dhe të paraburgosura, vlerësim i kryer në periudhën janar-mars 2022 në Qendrën Korrektuese të Femrave (QKF) në Lipjan, duke familjarizuar stafin korrektues me Rregullat e OKB-së për Trajtimin e Grave të Burgosura si dhe për Sanksionet Jo me Burgim për Shkelëset Gra (Rregullat e Bankokut), përfshirë standardet dhe normat e tjera ndërkombëtare.
Trajnimi u organizua dhe u drejtua nga ekspertja e EUKOJUST-it për qasje në drejtësi, Alina Matache dhe eksperti afatshkurtër i EUKOJUST-it për trajnimin e stafit korrektues, Alban Muriqi.