Forcimi i kapaciteteve dhe koordinimi ndërinstitucional, si dhe pavarësia dhe transparenca ishin disa nga rezultatet kryesore të raportit tremujor prill–qershor 2023 të EUKOJUST, të prezantuara në takimin e 11-të të Komitetit Drejtues, të mbajtur më 26 korrik 2023 në Prishtinë.
Drejtori i Zyrës Ligjore të Zyrës së Kryeministrit z. Mentor Borovci dhe Udhëheqësi i Ekipit të EUKOJUST z. Volkmar Theobald, bashkëkryesuan takimin e rregullt të Komitetit Drejtues të Programit të Sektorit të Drejtësisë për Kosovën, të financuar nga Bashkimi Evropian. Të pranishëm në takim ishin edhe: Zëvendësministri i Drejtësisë z. Vigan Çorolli, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës z. Albert Zogaj, Zëvendës Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Veton Shabani, Zëvendës Kryeprokurori i Shtetit, z. Agron Qalaj, Drejtoresha e Projektit EUKOJUST nga IRZ znj. Teresa Thalhammer, si dhe z. Nicola Scaramuzzo nga Zyra e BE-së në Kosovë.
Gjatë prezantimit të përbashkët z. Volkmar Theobald dhe Këshilltarja Ligjore e EUKOJUST, Nita Bejta, theksuan përmirësimin e konsolidimit dhe harmonizimit të kornizës ligjore dhe institucionale të Kosovës me Aquis-in e BE-së dhe zbatimin e ligjeve. Agjenda legjislative e Qeverisë për vitin 2023 parashikonte ndryshimin e 100 ligjeve, prej të cilave 10 janë në kuadër të fushëveprimit të Ministrisë së Drejtësisë. EUKOJUST do të ofrojë mbështetje të vazhdueshme për 8 prej tyre.
Ka një përmirësim të dukshëm edhe në qasjen në drejtësi, veçanërisht për gratë dhe grupet e pafavorizuara. Aktivitete intensive për ngritjen e kapaciteteve iu ofruan gjyqtarëve, prokurorëve, bashkëpunëtorëve profesionistë dhe avokatëve për të rritur kuptimin e tyre mbi standardet ndërkombëtare dhe kornizën ligjore të Kosovës për dhunën në familje dhe dhunën me bazë gjinore.
Mbështetja kryesore dhe rezultatet e ofruara për palët kryesore të interesit, të përmendura nga përfaqësuesit e projektit, përfshijnë gjithashtu mbështetjen për aktivitetet që rrjedhin nga Deklarata e Përbashkët e Zotimit, ku EUKOJUST është duke ofroluar mbështetje për këtë në drejtim të koordinimit dhe mbështetjes me anë të ekspertëve për grupet punuese që janë krijuar për të vlerësuar dhe hartuar nismat ligjore me qëllim të forcimit të kornizës ligjore.
Janë zhvilluar aktivitete për ngritjen e kapaciteteve për palët e interesit të sundimit të ligjit, duke u fokusuar në qasjen në drejtësi, ndjeshmërinë gjinore dhe zbatimin praktik të kornizës ligjore të DhF-së.
Në mesin e rezultateve projekti u përmend edhe mbështetja në hartimin e raporteve dhe analizave si dhe politikave për institucione të ndryshme të sektorit të drejtësisë; ekspertiza profesionale dhe komentet e ofruara për legjislacionin, dokumentet ligjore, rregulloret, koncept dokumentet dhe planet e veprimit; zhvillimi i materialeve trajnuese për përmirësimin e qasjes në drejtësi, ndjeshmërinë gjinore dhe për zbatimin e kornizës lidhur me DhF-në.
Pas diskutimeve, anëtarët me të drejtë vote të Komitetit Drejtues caktuan fundin e tetorit si datë për takimin e radhës të Komitetit Drejtues dhe ranë dakord për kryesimin e tij, ndërsa EUKOJUST prezantoi planin e punës për tremujorin e ardhshëm.