Rreth 70 avokatë nga rajoni i Prishtinës, të licencuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK) morën pjesë në trajnimin e dytë të zhvilluar në kryeqendrën e Kosovës, Prishtinë, nga Ekspertja Afatgjatë e Projektit EUKOJUST për Arsimim Publik Juridik /Dhunë në Familje dhe Grupet e Margjinalizuara, Bardhë Krasniqi. Me këtë trajnim u përmbyllë cikli i trajnimit të avokatave mbi këtë segment të rëndësishëm të të drejtave të njeriut, nga i cili kanë përfituar mbi 500 avokatë nga të gjitha anët e Kosovës.
Trajnimi “Roli i avokatëve në përfaqësimin e viktimave të dhunës në familje”, i cili më herët është mbajtur nëpër të gjitha qendrat e mëdha të Kosovës, Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj, Gjilan e Mitrovicë, kishte për qëllim zhvillimin e aftësive të buta të avokatëve për të kuptuar dinamikën e situatave të dhunës në familje. Trajnimi u organizua nën ombrellën e OAK-së si pjesë e programit të arsimimit të vazhdueshëm ligjor.
Në trajnimin e fundit të mbajtur më 15 korrik 2023 në Prishtinë, ekspertja Bardhë Krasniqi diskutoi me avokatët nevojën e zbatimit të standardeve të të drejtave të njeriut të dala nga Konventa e Stambollit, Konventa për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe përdorimi i praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në jurisprudencën e Kosovës dhe raste e reja te dala nga jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe standardet e reja të parapara në Kodin e ri të Procedures Penale i cili ka filluar të zbatohet para pak muajsh.
Trajnimi kishte për qëllim ngritjen e standardit të praktikës për avokatët që merren me rastet e dhunës në familje dhe ata të cilët merren me rastet tjera të përgjithshme, duke i pajisur me mjetet e nevojshme për të trajtuar dhunën në familje ose për të kontrolluar për abuzimin në familje dhe për të ofruar këshilla të përshtatshme ligjore kur dhuna në familje identifikohet si problem. Edhe në këtë trajnim pjesëmarrësit e vlerësuan pozitivisht trajnimin nga i cili përfituan si nga pikëpamja profesionale ashtu edhe nga përvoja e mirë e trajneres dhe të gjithëve ju ndanë certifikata. Trajnimi u organizua në kuadër të objektivës specifike të projektit EUKOJUST për forcimin e qasjes në drejtësi për të gjithë qytetarët në Kosovë, veçanërisht në fushën e dhunës në familje dhe grupeve të cenueshme apo të margjinalizuara.