Kategori
Uncategorized

Vetëdijesimi ligjor fuqizon qytetarët dhe forcon demokracinë!

Sesioni i parë, nga një sërë sesionesh informuese ligjore mbi qasjen në drejtësi, filloi në Shtëpinë e Evropës. Në bashkëpunim me Lëvizjen OPRE ROMA në Kosovë, Ekspertja e EUKOJUST Alina Matache dhe Këshilltarja Ligjore Nita Bejta zhvilluan një tryezë të fokusuar në strukturën e sistemit të drejtësisë penale, civile dhe administrative të Kosovës.

U zhvillua diskutim i gjallë me udhëheqësit rajonalë të Lëvizjes OPRE ROMA mbi efikasitetin dhe transparencën e sistemit ligjor të Kosovës, veçanërisht në lidhje me personat e cenueshëm dhe grupet e margjinalizuara.

Pjesëmarrësit gjithashtu patën mundësinë të diskutojnë mbi sfidat kryesore me të cilat ballafaqohet komuniteti rom në Kosovë me përfaqësuesit e institucioneve kyçe si: Qëndrim Gashi, Zyrtar Ligjor në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas, Niman Hajdari -Zëvendës Ombudsperson, Nënkolonel Zylfije Dema, Drejtoreshë në Drejtorinë për Rend në Komunitet dhe Parandalim të Krimit në Policinë e Kosovës, Muhamet Vokrri Profesor, Prodekan i Fakultetit Juridik në Prishtinë dhe Rrezarta Ajeti gjyqtare në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Temat kryesore që u diskutuan ishin qasja në mjete efektive juridike, regjistrimi i popullsisë, diskriminimi në sistemin e drejtësisë dhe arsimit dhe qasja në ndihmë juridike falas.

Qëllimi kryesor i Sesioneve Informuese Ligjore, të cilat do të mbahen në të gjitha rajonet e Kosovës, është të ofrojë njohuri ligjore për qytetarët e cenueshëm, për të forcuar kapacitetet e tyre për të ushtruar të drejtat e tyre.

Kategori
Uncategorized

Trajnimi mbi përfaqësimin e viktimave të dhunës në familje ofrohet edhe për avokatët e Mitrovicës

Cikli i trajnimeve për zhvillim të kapaciteteve profesionale të avokatëve mbi kornizën ligjore ndërkombëtare dhe kombëtare për mbrojtjen nga dhuna në familje ka vazhduar në qershor. Rreth 50 avokatë nga rajoni i Mitrovicës, të licencuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK) morën pjesë në trajnimin e zhvilluar nga Ekspertja Afatgjatë e Projektit EUKOJUST për Arsimim Publik Juridik /Dhunë në Familje dhe Grupet e Margjinalizuara, Bardhë Krasniqi. Me këtë trajnim është zgjeruar edhe më shumë numri i avokatëve të përgatitur për përfaqësim sa më kompetent të viktimave të dhunës në familje në Kosovë.

Trajnimi “Roli i avokatëve në përfaqësimin e viktimave të dhunës në familje”, i cili më herët është mbajtur edhe nëpër regjionet tjera të Kosovës, ka për qëllim zhvillimin e aftësive të buta të avokatëve për të kuptuar dinamikën e situatave të dhunës në familje. Sikurse edhe në trajnimet e kaluara, edhe ky tranim është organizuar nën ombrellën e OAK-së si pjesë e programit të arsimimit të vazhdueshëm ligjor.

Në një bashkëbisedim të hapur ekspertja Krasniqi diskutoi me avokatët nevojën e zbatimit të standardeve të të drejtave të njeriut siç janë Konventa e Stambollit, Konventa për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe përdorimi i praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në jurisprudencën e Kosovës dhe raste e reja te dala nga jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe standardet e reja të parapara në Kodin e ri të Procedures Penale i cili ka filluar të zbatohet para pak muajsh.

Trajnimi ngriti standardin e praktikës për avokatët që merren me rastet e dhunës në familje, dhe ata të cilët merren me rastet tjera të përgjithshme, duke i pajisur me mjetet e nevojshme për të trajtuar dhunën në familje ose për të kontrolluar për abuzimin në familje dhe për të ofruar këshilla të përshtatshme ligjore kur dhuna në familje identifikohet si problem.

Pjesëmarrësit e vlerësuan pozitivisht trajnimin nga i cili përfituan si nga pikëpamja profesionale ashtu edhe nga përvoja e mirë e trajneres dhe të gjithëve ju ndanë certifikata. Trajnimi u organizua në kuadër të objektivës specifike të projektit EUKOJUST për forcimin e qasjes në drejtësi për të gjithë qytetarët në Kosovë, veçanërisht në fushën e dhunës në familje dhe grupeve të cenueshme apo të margjinalizuara. Deri më tani Projekti ka trajnuar rreth rreth 360 avokatë në gjashtë regjione të Kosovës.

Kategori
Uncategorized

Vizita studimore në Shqipëri ndihmon Kosovën në hartimin e Kodit të Procedurës Civile

Në fund të muajit prill në Shqipëri u shënua një pikë referimi domethënëse në rrugëtimin e institucioneve ligjore të Kosovës, të mbështetura nga EUKOJUST. Një grup i larmishëm përfaqësuesish nga institucione të ndryshme të Kosovës, duke përfshirë Ministrinë e Drejtësisë, Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Gjykatat, Zyrën e Kryeministrit, Ministrinë e Financave, Punës dhe Transportit dhe Zyrtarët e Përmbarimit, nisën një vizitë studimore tre-ditore në Shqipëri. Objektivi ishte i qartë: fitimi i përvojës dhe perspektivës për hartimin e Kodit të Procedurës Civile të Kosovës.

Grupi Punues përgjegjës për këtë detyrë të rëndësishme u përpoq të thellonte kuptimin e procedurës civile duke u mbështetur në njohuritë dhe përvojën e homologëve të tyre shqiptarë. Historia e përbashkët dhe ngjashmëritë mes dy vendeve lejuan një shkëmbim të pasur idesh dhe praktikash, të cilat do të jenë të çmueshme për hartimin e suksesshëm të Kodit të Procedurës Civile.

Gjatë vizitës studimore, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës u takuan me zyrtarët kryesorë të Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë, duke përfshirë zëvendësministrin Karametaj, përfaqësues të kabinetit të Ministrit dhe drejtorin e Zyrës Ligjore të Ministrisë. Diskutimet ishin të frytshme, duke nxitur një perspektivë më të gjerë mbi procedurat civile dhe duke i hapur rrugën një procesi efektiv të hartimit.

Gjithashtu, anëtarët e Grupit të Punës patën mundësinë të bashkëveprojnë edhe me anëtarë të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, duke përfshirë ushtruesin e detyrës së  Kryetarit, z. Sokol Sadushi, z. Artur Kalaja, Kryesues i Njësisë Civile të Gjykatës së Lartë, z. Asim Vokshi – Gjyqtar i Gjykatës së Lartë, si dhe stafi tjetër i Gjykatës. Kjo doli të ishte një përvojë ndriçuese, duke i dhënë ekipit tonë ekspozim të drejtpërdrejtë me punën e organit më të lartë gjyqësor në Shqipëri.

Projekti EUKOJUST është i përkushtuar për të nxitur marrëdhënie më të ngushta ndërmjet Kosovës dhe fqinjëve të saj për të mbështetur zhvillimin e infrastrukturës ligjore të vendit. Kjo vizitë e suksesshme studimore ilustron misionin tonë dhe hap rrugën për krijimin e një Kodi gjithëpërfshirës dhe efektiv të Procedurës Civile për Kosovën.

EUKOJUST mezi pret të ndajë zhvillimet e mëtejshme në hartimin e Kodit të Procedurës Civile të Kosovës dhe nismave të tjera të mbështetura nga projektet që synojnë të forcojnë sistemin e drejtësisë në Kosovë.