Kategori
Uncategorized

Zyrtarët ligjorë të Ndihmës Juridike Falas trajnohen për përfaqësimin e viktimave të dhunës në familje

Ngritja e kapaciteteve profesionale të zyrtarëve ligjorë të Ndihmës Juridike Falas për “zbatimin praktik të kornizës ligjore ndërkombëtare dhe kosovare për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe zhvillimin e aftësive të buta për dinamikën e situatave të dhunës në familje” ishte fokusi i një trajnimi dyditor që u organizua në koordinim dhe bashkëpunim me Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas.

Shtatë zyrtarë ligjorë të Ndihmës Juridike Falas (NJF) nga të gjitha regjionet e Kosovës dhe zyrat mobile morën pjesë në trajnimin e mbajtur nga Ekspertja afatgjatë e Projektit EUKOJUST për edukimin juridik publik/ dhunën në familje dhe grupet e margjinalizuara, Bardhë Krasniqi. Trajnimi “Zbatimi i kornizës ligjore ndërkombëtare dhe kosovare për mbrojtjen nga dhuna në familje” dhe materiali përkatës është përshtatur për dhe synon që zyrtarëve ligjorë të NJF-së t’iu japë njohuritë dhe aftësitë që iu nevojiten për t’u ofruar viktimave të dhunës në familje ndihmë thelbësore në objektivat e mëposhtme:

  • Kuptimi i dinamikës së dhunës në familje,
  • Mjetet juridike për dhunën në familje,
  • Intervistimi dhe këshillimi i viktimave të dhunës në familje,
  • Planifikimi i sigurisë,
  • Puna me organet e zbatimit të ligjit,
  • Ndjeshmëria kulturore,
  • Kujdesi për veten dhe trajtimi i traumave të viktimave të dhunës në familje.

Trajnimi kishte për qëllim t’iu ofrojë zyrtarëve ligjorë të NJF-së informacion të vlefshëm për të siguruar që viktimat e dhunës në familje të kenë qasje në gjykata dhe në mjetet juridike në dispozicion për të trajtuar format e ndryshme të dhunës në familje e që i prekin të drejtat dhe sigurinë e viktimave. Përveç kësaj, qasja në drejtësi shtrihet edhe tek personat që janë të pjesë e jetës së viktimave, si fëmijët ose anëtarët e tjerë të familjes.

Pjesëmarrësit e vlerësuan lartë këtë trajnim dhe përfituan si nga pikëpamja profesionale ashtu edhe nga përvoja e mirë e trajnueses.

Trajnimi u mbajt në kuadër të objektivit specifik të projektit EUKOJUST për forcimin e qasjes në drejtësi për të gjithë qytetarët e Kosovës, veçanërisht në fushën e dhunës në familje dhe grupeve të pafavorshme ose të margjinalizuara si dhe është në përputhje me Strategjinë për Sundimin e Ligjit dhe me Strategjinë për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave bashkë me planet e tyre përkatëse të veprimit.

Kategori
Uncategorized

Dy këshillat trajtojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të unifikuar sfidat me të cilat po përballen

Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës u mblodhën në një takim të përbashkët për të trajtuar në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të unifikuar çështjet, sfidat dhe mundësitë me të cilat përballet sistemi gjyqësor dhe prokurorial.

EUKOJUST pati kënaqësinë që ia doli të mbledhë bashkë rreth tryezës Këshillat, Kryetarët e Gjykatave, Kryeprokurorët dhe menaxhmentin e lartë në administratën e prokurorisë dhe të gjyqësorit për të adresuar çështjet më urgjente.

Në këtë mënyrë sistemi gjyqësor dhe prokurorial do të tejkalojnë pengesat në përpjekjet e tyre për të pasur një bashkëpunim pa probleme drejt përmirësimit të mëtejshëm të transparencës, efikasitetit dhe qasjes së qytetarëve në drejtësi.

Punëtoria ishte pjesë e mbështetjes së EUKOJUST për institucionet e drejtësisë së Kosovës në krijimin e një mekanizmi koordinues për të çuar më tej zbatimin e Strategjisë së Sundimit të Ligjit dhe për të rritur bashkëpunimin në çështjet ndërsektoriale që kanë të bëjnë me të gjitha institucionet e sektorit të drejtësisë.