Kategori
Uncategorized

Avokat e Ferizajt trajnohen për përfaqësim të viktimave të dhunës në familje

Zgjerimi i gamës së trajnimeve për zhvillim të kapaciteteve profesionale të avokatëve mbi kornizën ligjore ndërkombëtare dhe kombëtare për mbrojtjen nga dhuna në familje ka vazhduar në muajin shkurt. Rreth 50 avokatë nga rajoni i Ferizajt, të licencuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK) morën pjesë në trajnimin e zhvilluar nga Ekspertja Afatgjatë e Projektit EUKOJUST për Arsimim Publik Juridik /Dhunë në Familje dhe Grupet e Margjinalizuara, Bardhë Krasniqi. Në këtë mënyrë po rritet numri i avokatëve të përgatitur për përfaqësim sa më kompetent të viktimave të dhunës në familje.

Trajnimi “Roli i avokatëve në përfaqësimin e viktimave të dhunës në familje”, i cili është mbajtur gjatë vitit të kaluar nëpër regjionet tjera të Kosovës, ka njëherit për qëllim të zhvillojë aftësitë e buta të avokatëve për të kuptuar dinamikën e situatave të dhunës në familje. Edhe ky trajnim është organizuar si pjesë e programit të arsimimit të vazhdueshëm ligjor nën ombrellën e OAK-së.

Gjatë trajnimit u diskutua nevoja e zbatimit të standardeve të të drejtave të njeriut siç janë Konventa e Stambollit, Konventa për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe përdorimi i praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në jurisprudencën e Kosovës si dhe standardet e reja të parapara në Kodin e ri të Procedures Penale i cili ka filluar të zbatohet para pak javësh.

Trajnimi ngriti standardin e praktikës për avokatët që merren me rastet e dhunës në familje, dhe ata të cilët merren me rastet tjera të përgjithshme, duke i pajisur me mjetet e nevojshme për të trajtuar dhunën në familje ose për të kontrolluar për abuzimin në familje dhe për të ofruar këshilla të përshtatshme ligjore kur dhuna në familje identifikohet si problem.

Pjesëmarrësit e vlerësuan pozitivisht trajnimin nga i cili përfituan si nga pikëpamja profesionale ashtu edhe nga përvoja e mirë e trajneres dhe të gjithëve ju ndanë certifikata. Trajnimi u organizua në kuadër të objektivës specifike të projektit EUKOJUST për forcimin e qasjes në drejtësi për të gjithë qytetarët në Kosovë, veçanërisht në fushën e dhunës në familje dhe grupeve të cenueshme apo të margjinalizuara. Deri më tani Projekti ka trajnuar rreth 310 avokatë në pesë regjione të Kosovës.