Prishtinë, 8 shkurt 2023 – Si pjesë e mbështetjes së vazhdueshme për sistemin prokurorial në Kosovë të ofruar nga Programi i BE-së për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë/EUKOJUST, zëvendës udhëheqësi i ekipit, Cristian Nicoara, bashkë-kryesoi një punëtori dyditore me zëvendës Kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, z.Veton Shabani. Temat kryesore të punëtorisë ishin Raporti Vjetor për vitin 2022 i Komisionit të përhershëm të KPK-së për Administrim e Prokurorive dhe hartimi i Planit të Punës për vitin 2023.
Kjo punëtori ishte një mundësi për ekspertët e EUKOJUST-it për të diskutuar me anëtarët e lartë të administratës së sistemit prokurorial dhe me anëtarët e komisionit të përhershëm lidhur me sfidat me të cilat u përball sistemi gjatë vitit 2022 dhe mjetet për t’i trajtuar ato në vitin 2023 duke synuar përmirësimin dhe modernizimin e administratës së sistemit prokurorial.
Ky forum gjithashtu ofroi një platformë për të sinkronizuar aktivitetet e ofruara nga administrata me prioritetet e Projektit EUKOJUST dhe Zyrës së BE-së në Kosovë, e cila në këtë punëtori u përfaqësua nga z. Mats Persson.
Në ditën e dytë të punëtorisë pjesëmarrësit identifikuan dhe adresuan sfidat dhe pengesat e parapara në vitin 2023 dhe mënyrën e krijimit të mekanizmave për adresimin e tyre. Qëllimi përfundimtar është të sigurohet që në vitet në vijim administrata e sistemit prokurorial të punojë me standardet më të mira të profesionalizmit dhe efikasitetit.