Një delegacion i Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës, i kryesuar nga Ministrja Albulena Haxhiu, ka zhvilluar një vizitë mes homologësh në Republikën e Kroacisë, të organizuar nga Programi EUKOJUST.
Delegacioni i Kosovës, i përbërë nga përfaqësues të Ministrisë dhe EUKOJUST-it, fillimisht u takua me Ministrin e Drejtësisë dhe Administratës Publike, Ivan Malenica. U diskutuan tema të ndryshme nga sfera e drejtësisë siç janë funksionimi dhe organizimi i Ministrisë, dixhitalizimi i gjyqësorit, funksionimi i sistemit për mbështetjen e dëshmitarëve, si dhe marrëdhëniet dhe bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve të pavarura në gjyqësor.
Gjatë vizitës, delegacioni i Kosovës pati një takim me Kryetarin e Këshillit Gjyqësor Shtetëror, Darko Malekoviq dhe Zëvendëskryetarin e Këshillit Shtetëror Prokurorial, prof. Ph.D. Elizabeta Iviçeviq Karas. Dita e tretë e vizitës vazhdoi me takime me Kryeprokurorin e Shtetit, Kryetarin e Gjykatës Supreme të Republikës së Kroacisë, Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese dhe Kryetarin e Komisionit Parlamentar për Drejtësi.
Delegacioni Kosovar e vlerësoi të dobishme vizitën, ngase ishte një mundësi e mirë për tu njohur për së afërmi me praktikat e mira të institucioneve të Kroacisë në fuqizimin e sundimit të ligjit.