Përfaqësuesit e Projektit EUKOJUST së bashku me përfaqësuesit e Zyrës së BE-së dhe kompaninë e përzgjedhur për zhvillimin e sistemit të e-Dosjeve për gjyqtarët, mbajtën takimin e parë njoftues me Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Grupin Punues për të filluar punën drejt zhvillimit të këtij sistemi.
Përmes këtij aktiviteti, Këshilli Gjyqësor i Kosovës synon krijimin e një sistemi të avancuar për menaxhimin elektronik të dosjeve të gjyqtarëve. Ky sistem elektronik do t’i mundësojë KGJK-së të kryejë dhe menaxhojë proceset kritike që kanë të bëjnë me rekrutimin e gjyqtarëve të rinj, vlerësimin e performancës, zhvillimin profesional, avancimin e gjyqtarëve dhe zbatimin e procedurave disiplinore në mënyrë më efektive dhe transparente.