Ngritja e kapaciteteve profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve përfshirë edhe bashkëpunëtorët profesionalë për “Akuzimin dhe dënimin e rasteve të dhunës në familje” – zbatimi praktik i standardeve ndërkombëtare në trajtimin e rasteve të dhunës në familje duke përfshirë kornizën ligjore kombëtare për mbrojtjen nga dhuna në familje – ishte fokusi i një trajnimi ditor që u mbajt nën ombrellën e Akademisë së Drejtësisë të Kosovës.
Një numër i gjyqtarëve, prokurorëve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë e ndoqën trajnimin e mbajtur nga Ekspertja afatgjatë e projektit EUKOJUST për Arsimim Publik Juridik /Dhunën në Familje dhe Grupet e Margjinalizuara, Bardhë Krasniqi. Trajnimi “Akuzimi dhe dënimi i rasteve të dhunës në familje” dhe materiali përkatës është përshtatur për dhe synon:
– Përmirësimin e reagimit prokurorial dhe gjyqësor ndaj rasteve të dhunës në familje,
– Të kuptuarit e seriozitetit dhe kompleksitetit të rasteve të dhunës në familje për të kontribuar dhe rritur konsistencën në trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe për të zgjeruar burimet e tyre të bazuara në praktikë.
– Mbrojtjen dhe arritjen e akuzimit dhe dënimit të rasteve të dhunës në familje në proporcion me peshën e krimit sipas standardeve ligjore ndërkombëtare dhe kombëtare.
Pjesëmarrësit e vlerësuan shumë këtë trajnim dhe përfituan si nga pikëpamja profesionale ashtu edhe nga përvoja e mirë e trajnueses.
Trajnimi u mbajt në kuadër të objektivës specifike të projektit EUKOJUST për forcimin e qasjes në drejtësi për të gjithë qytetarët e Kosovës, veçanërisht në fushën e dhunës në familje dhe grupeve të pafavorizuara ose të margjinalizuara – dhe është në përputhje me Strategjinë për Sundimit të Ligjit dhe me Strategjinë për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje dhe Dhuna kundër Grave si dhe Planet e tyre përkatëse të Veprimit.