Është duke vazhduar mbështetja për hartimin e Koncept Dokumentit për realizimin e të Drejtave Civile në Kosovë, përfshirë të drejtën për gjykim të drejtë brenda një kohe të arsyeshme dhe mjete juridike efektive, të ofruara nga EUKOJUST. Ekspertja e EUKOJUST-it për Qasje në Drejtësi, Alina Matache, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, Departamenti i Integrimeve Evropiane, organizuan një punëtori dyditore me disa palë të interesuara, përfshirë gjyqtarë, ekspertë ligjorë, nëpunës civilë dhe përfaqësues të Avokatit të Popullit.

Fokusi i seminarit ishte diskutimi i draftit të parë të Koncept Dokumentit, të përgatitur nga znj. Bardha Maxhuni dhe z. Avni Puka. Koncept Dokumenti, një aktivitet i paraparë me Strategjinë e Kosovës për Sundimin e Ligjit, parashtronte sfidat kryesore në realizimin e të drejtave civile në Kosovë. Edhe pse këto të drejta janë të garantuara me Kushtetutë dhe legjislacionin kombëtar, Kosova ende vuan nga mungesa e mjeteve juridike efektive në çështjet penale, civile dhe administrative. U diskutuan dhe iu prezantuan Grupit të Punës disa opsione se si të kapërcehet kjo sfidë. Për më tepër, Eksperti i Kornizës Legjislative të EUKOJUST, Idlir Peci bëri një prezantim mbi praktikat më të mira ndërkombëtare lidhur me këtë çështje.
Koncept Dokumenti do të integrojë komentet e anëtarëve të Grupit të Punës dhe do të jetë i hapur për konsultim publik në kohën e duhur.