Nisma për përmirësimin e statusit të nëpunësve civilë në sistemin gjyqësor, e filluar një vit më parë, këtë javë arriti një momentum të ri dhe të rëndësishëm. Përfaqësuesit e drejtësisë, sindikatave dhe shoqatave përkatëse, të ndihmuar nga ekspertët e projektit EUKOJUST, trajtuan çështjet e mbetura gjatë një punëtorie dyditore të mbajtur në Pejë.
Statusi i nëpunësve civilë në gjyqësor është një element kritik i pavarësisë së gjyqësorit dhe kërkon një bazë ligjore, të qartë, të qëndrueshme dhe të parashikueshme. Në këtë kuptim, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, para gati më shumë se dy viteve, vendosi që stafi mbështetës në gjyqësor duhet ta kenë statusin e tyre të rregulluar në mënyrë të pavarur nga nëpunësit e përgjithshëm civil në administratën publike.
Prandaj, projekti EUKOJUST është duke e mbështetur Ministrinë e Drejtësisë, Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës për ta gjetur bazën e përbashkët për një zgjidhje ligjore dhe legjislative. Me të gjithë akterët e përfshirë janë bërë negociata dhe diskutime të gjera, ndërsa të gjitha institucionet e përfshira në proces kanë bërë kërkime dhe dokumentime.
Pas një punëtorie fillestare të mbajtur në muajin mars të këtij viti, në punëtorinë e tanishme projekti EUKOJUST u ofroi të gjitha palëve të përfshira në proces një platformë për ta diskutuar koncept dokumentin dhe për t’i diskutuar dhe debatuar gjerësisht të gjitha opsionet e identifikuara. Qëllimi ishte që të gjitha palët të bien dakord për rrugën që duhet ndjekur, që të gjitha shqetësimet dhe çështjet të adresohen dhe që të gjitha institucionet, sindikatat dhe shoqatat profesionale të rreshtohen për një qasjeje të vetme e cila mund të shtyhet përpara në një projektligj për statusin e nëpunësve civilë në sistemin gjyqësor të Kosovës.