Më 6 korrik, Ekspertja e EUKOJUST-it për Qasje në Drejtësi, Alina Matache, dhe Këshilltarja Ligjore e EUKOJUST-it, Nita Bejta, në partneritet me Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas dhe Institucionin e Avokatit të Popullit, organizuan një Sesion Informues për Qasjen në Drejtësi për femrat e burgosura në Qendrën Korrektuese për Femra. Qëllimi i sesionit ishte informimi i grave të burgosura për të drejtat e tyre, qasjen në ndihmë juridike falas, procesin e lirimit me kusht, mekanizmat e ndryshëm të referimit dhe mekanizmat e ankesës dhe mundësitë për rehabilitim dhe ri-integrim pas lirimit.
Drejtoresha e Agjencisë për Ndihmës Juridike Falas, Anita Alaj Kalanderi, dhe Udhëheqësja e Departamentit për Shërbime Juridike, Flutura Berbati Zena, iu prezantuan të burgosurave shërbimet e Agjencisë dhe i diskutuan sfidat dhe zgjidhjet për marrjen e ndihmës juridike falas në burgje. Fidane Zekaj, Këshilltare Ligjore në Mekanizmin Parandalues Kombëtar në Institucionin e Avokatit të Popullit diskutoi për mbështetjen e Avokatit të Popullit ndaj të burgosurve sa herë që ata përballen me sfida gjatë qëndrimit në burg.