Kategori
Uncategorized

Forcimi i kapaciteteve për mbrojtjen nga dhuna në familje

Ndërtimi i kapaciteteve profesionale të avokatëve rreth kornizës ligjore ndërkombëtare dhe kombëtare për mbrojtjen nga dhuna në familje ishte fokusi i trajnimit njëditor të mbajtur në Prizren. Trajnimi u organizua në bashkëpunim me Odën e Avokatëve të Kosovës (OAK) dhe u mbajt nga Bardhë Krasniqi, Eksperte Afatgjatë e Projektit EUKOJUST për Arsimim Publik Juridik /Dhunë në Familje dhe Grupet e Margjinalizuara dhe Këshilltarja Ligjore Nita Bejta. Në trajnim morën pjesë gati 70 avokatë nga rajoni i Prizrenit të licencuar nga OAK.

Trajnimi “Roli i avokatëve në përfaqësimin e viktimave të dhunës në familje”, synonte gjithashtu ndërtimin e aftësive të buta të avokatëve për të kuptuar dinamikën e situatave të dhunës në familje – si pjesë e programit të arsimimit të vazhdueshëm ligjor nën ombrellën e OAK-së.

Trajnueset diskutuan nevojën e zbatimit të standardeve të të drejtave të njeriut siç janë Konventa e Stambollit, Konventa për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave (CEDAW), Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe përdorimi i praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në jurisprudencën e Kosovës. Ky trajnim ngriti standardin e praktikës për avokatët që merren me rastet e dhunës në familje, dhe ata të cilët merren me rastet tjera të përgjithshme, duke i pajisur me mjetet e nevojshme për të trajtuar dhunën në familje ose për të kontrolluar për abuzimin në familje dhe për të ofruar këshilla të përshtatshme ligjore kur dhuna në familje identifikohet si problem.

Pjesëmarrësit e vlerësuan shumë këtë trajnim dhe përfituan si nga pikëpamja profesionale ashtu edhe nga përvoja e mirë e trajnereve.

Trajnimi u mbajt në kuadër të objektivës specifike të projektit EUKOJUST për forcimin e qasjes në drejtësi për të gjithë qytetarët në Kosovë, veçanërisht në fushën e dhunës në familje dhe grupeve të cenueshme apo të margjinalizuara.

Kategori
Uncategorized

Avancimi i kornizës rregullative për administrim më të mirë të gjykatave

Anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe udhëheqësit e Sekretariatit të Këshillit po ndjekin një punëtori intensive treditore të organizuar nga EUKOJUST-i për të ndryshuar dhe avancuar më tej kornizën rregullative që ka të bëjë me administrimin më të mirë të KGJK-së dhe gjykatave në Kosovë.

Këtu përfshihet përdorimi i Sistemit për Menaxhimin Informativ të Lëndëve, administrata e KGJK-së dhe gjykatave, funksionimi i Sekretariatit të KGJK-së dhe Njësisë së Inspektoratit Gjyqësor, statusi, të drejtat, detyrimet, vlerësimi i performancës, procedura disiplinore, dhe përfundimi i punësimit të bashkëpunëtorëve profesionalë si dhe për pasuritë jofinanciare dhe transferimin e gjyqtarëve.  

Përveç kësaj, me mbështetjen e ekspertizës së EUKOJUST-it, KGJK-ja po e konceptualizon bazën rregullative për zbatimin e E-pagesave në gjykata dhe duke e prezantuar konceptin për hartimin e një plani strategjik të detajuar dhe planit të veprimit për sistematizimin, automatizimin dhe digjitalizimin e arkivave gjyqësore.

Kryesuesi Albert Zogaj e hapi punëtorinë dhe në emër të Këshillit Gjyqësor të Kosovës e falënderoi projektin EUKOJUST për mbështetjen e vazhdueshme ndaj sistemit gjyqësor të Kosovës që synon avancimin e sistemit gjyqësor dhe rritjen e transparencës dhe llogaridhënies. 

Kategori
Uncategorized

Faza finale e draftimit të projektligjit për Sistemin Qendror të Evidencës Penale

Sot është dita e tretë e punëtorisë së organizuar nga EUKOJUST për grupin punues ndër institucional për hartimin e projektligjit për Sistemin Qendror të Evidencës Penale.

Përtej kësaj, EUKOJUST ka ofruar ekspertizë të drejtpërdrejtë në favor të hartimit sa më të përpiktë e të qartë të dispozitave ligjore.

Përmes draftit të projektligjit që po tentohet të përfundohet në këtë punëtori dhe të përgatitet për miratim në Qeverinë e Kosovës, do të rregullohet menaxhimi i sistemit të evidencës qendrore penale, roli i Ministrisë së Drejtësisë e Këshillit Gjyqësor të Kosovës në këtë segment, si dhe qasja më e lehtë për qytetarët në çertifikata të evidencës penale. Projektligji do të funksionalizojë sistemin qendror të evidenës penale në praktikë dhe do bëjë një hap përpara ndaj digjitalizimit të sistemit të drejtësisë dhe lehtësimit të qasjes në drejtësi për qytetarin.

EUKOJUST në vazhdimësi mbështet Ministrinë e Drejtësisë dhe institucionet e pavarura, Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorial, me qëllim të hartimit të politikave më të mira për sistemin, duke synuar gjithmonë mbështetjen në bashkëpunimin e mirëfilltë ndër institucional.

Kategori
Uncategorized

Akademia e Drejtësisë nënshkroi Memorandum Mirëkuptimi me shoqërinë civile

Akademia e Drejtësisë e Kosovës (AD) nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me disa Organizata të Shoqërisë Civile të Kosovës (OSHC), duke përfshirë BIRN dhe Internews Kosova, Kosovo Democratic Institute, Kosovo Law Institute, Advocacy Training & Resource Center – ATRC, Qendra Kosovare për Studime Gjinore, Voice of Roma, Ashkali and Egyptians, Cel Kosovo, CSGD, të martën më 31 maj 2022.

Memorandumi përfshin përdorimin e përvojës dhe kapaciteteve të organizatave joqeveritare në promovimin e praktikave më të mira për gjyqtarët, prokurorët dhe stafin mbështetës në çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, anti-korrupsionin, krimin e organizuar, qasjen në drejtësi dhe llogaridhënien, nën Rrjetin e quajtur “Miqtë e Akademisë”. Në përputhje me Strategjinë e Kosovës për Sundimin e Ligjit dhe Planin e Veprimit, nënshkrimit të Memorandumit i paraprijnë konsultime intensive ndërmjet organizatave joqeveritare, Akademisë së Drejtësisë së Kosovës dhe ekspertes së EUKOJUST për qasje në drejtësi, Alina Laura Matache.

Për më tepër, në këtë ngjarje AD-ja dhe Shoqëritë Civile patën mundësinë të shkëmbejnë informacion mbi cilësinë e plan-programeve të tyre të trajnimit dhe mësimin e të rriturve në sektorin gjyqësor, ndërsa Dragomir Yordanov, Ekspert i EUKOJUST për trajnime dhe ngritje të kapaciteteve, mbajti një prezantim mbi praktikat më të mira në metodologjinë e trajnimit gjyqësor.

Me fjalë konkrete, Memorandumi i Mirëkuptimit synon:

  • Një aftësi e shtuar e Akademisë së Drejtësisë së Kosovës për të kryer vlerësimin e nevojave për trajnim, për të mbledhur dhe analizuar informacione të dobishme dhe në kohë lidhur me mangësitë ligjore.
  • Rritjen e aftësisë së AD-së dhe OSHC-ve për të punuar së bashku në zhvillimin e qasjeve novatore dhe afatgjata për të përmirësuar trajnimin gjyqësor.
  • Përpjekjen e përbashkët drejt përmirësimit të sundimit të ligjit nëpërmjet kontributit në arsimimin me cilësi të lartë lidhur me të drejtat e njeriut.
  • Përpjekjen e përbashkët në avancimin e agjendës së barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave, përmes platformave mbështetëse për të siguruar që palët e interesit të sektorit të drejtësisë janë të sensibilizuar në aspektin gjinor lidhur me qasjen e tyre për sa i përket grave të mbijetuara të dhunës duke marrë parasysh kuadrin ligjor kombëtar dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
  • Të rris qasjen në drejtësi të komuniteteve të ndjeshme nëpërmjet mekanizmit të  koordinuar të  reagimit nga ana e shtetit, gjyqësorit dhe komunitetit juridik dhe palët e tjera të interesit.