Ka filluar hartimi i reformës në tri fusha me rëndësi për sundimin e ligjit në Kosovë. Projekti i financuar nga BE-ja, EUKOJUST, po mbështetë institucionet e drejtësisë në hartimin e Koncept Dokumentit për Kodin e Procedurës Civile, Koncept dokumentit për Gjykatën Administrative dhe të Punës dhe Nismën për ndryshimin e Ligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme. Reformat aktuale paraqesin një mundësi ideale për përmirësim të prekshëm në tri fushat që këto dokumente synojnë t’i adresojnë.
Përfaqësues të institucioneve të larta të sistemit të drejtësisë në Kosovë u zotuan se do të kontribuojnë në procesin e draftimit të koncept dokumenteve që do të ndihmojnë në procesin e reformimit të segmenteve që kanë ngecuar në funksionim gjer tani.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në fjalën e saj hyrëse u zotua që gjithçka që kërkohet nga Ministria e Drejtësisë do të adresohet. “Jam e vetëdijshme për problemet me të cilat ballafaqoheni çdo ditë. E dij që kemi shumë sfida mirëpo sikurse edhe nuk mungon vullneti, duke i prioritizuar problemet edhe do t’i adresojmë ato deri në zgjidhjen e plotë të tyre”, tha ajo. Ministrja Haxhiu vlerësoi ndihmën dhe mbështetjen që EUKOJUST po ofron në këtë proces shumë të rëndësishëm për qytetarët, vendin dhe sistemin gjyqësor në përgjithësi.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, shprehu kënaqësinë që iniciativa e Këshillit, e Ministrisë së Drejtësisë dhe Gjykatës Supreme po konkretizohet tani me mbështetje të EUKOJUST. “Kjo më bën të besoj se rezultatet do të jenë të shpejta dhe të dukshme,” tha Zogaj. Ai vlerësoi inkuadrimin e gjyqësorit në një përbërje të gjerë dhe kaq vëllimore në një iniciativë të tillë, që mund të jetë hera e parë. Zogaj tha se identifikimi i qështjeve të identifikuara në sistem nga ana e Këshillit, Ministrisë dhe Gjykatës Supreme e bën të nevojshme një reformë substanciale në drejtësinë procedurale në Kosovë.
Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci shprehu kënaqësinë për angazhimin e gjerë të institucioneve në këtë punëtori për një proces të rëndësishëm të reformimit të sistemit të drejtësisë, e sidomos për frymën konstruktive dhe pozitive të punës në punëtori. Ai shprehu pajtimin për nevojën e një reforme në kuptimin e funksionimit të disa njësive ku janë evidentuar ngecje në funksionim. Peci tha se adresimi i këtyre qështjeve është një sifë, por shprehu optimizmin që me një vullnet dhe përkushtim të të gjithëvë do të arrijnë të gjejnë modalitetet më të mira ligjore në kuptimin e mirëfunksionimit.
Udhëheqësi i ekipit të EUKOJUST, z. Volkmar Theobald, tha se është i kënaqur për bashkëpunimin në rritje me institucionet dhe se është dëshmitar i intensifikimit të mbështetjes që është duke ofruar projekti. Theobald theksoi se ngjarja e sotme shënon fillimin e reformës në tri fusha, në të cilat EUKOJUST do të mbështesë MD-në dhe KGJK-në. Në emër të Zyrës së BE-së në Kosovë, të pranishmëve iu drejtua z. Nicola Scaramuzzo.