Të hënën, më 28 mars 2022, në Prishtinë u diskutua për nevojat dhe përfitimet e bashkëpunimit të ndërsjellë në mes të Akademisë së Drejtësisë së Kosovës (AD) dhe shoqërisë civile në Kosovë në një punëtori të organizuar bashkërisht nga AD-ja dhe Programi i BE-së për Sektorin e Drejtësisë, EUKOJUST.
Punëtoria kishte për qëllim të diskutonte krijimin e një mekanizmi koordinues konstruktiv në mes të Akademisë së Drejtësisë dhe organizatave të shoqërisë civile në ofrimin e aktiviteteve të trajnimit dhe të ngritjes së kapaciteteve në fushën e sundimit të ligjit nën ombrellën e Miqve të Akademisë.
Në përputhje me Strategjinë për Sundimin e Ligjit dhe Planin e Veprimit, projekti EUKOJUST po ndihmon në nënshkrimin e një Memorandumi të Mirëkuptimit (MM) ndërmjet organizatave të shoqërisë civile dhe Akademisë së Drejtësisë. Memorandumi i Mirëkuptimit parashikon përdorimin e përvojës dhe kapaciteteve të organizatave joqeveritare në promovimin e praktikave të mira për gjyqtarët, prokurorët dhe stafin mbështetës në çështjet që kanë të bëjnë me korrupsionin, krimin e organizuar dhe qasjen në drejtësi.
Në punëtori morën pjesë disa OJQ që përfaqësojnë çdo aspekt të shoqërisë civile dhe që janë të përfshira drejtpërdrejt në monitorimin e gjyqësorit, duke përfshirë ato që kanë rol aktiv në dhënien e komenteve për nismat legjislative. Organizatat e shoqërisë civile që morën pjesë në këtë punëtori, si Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ), Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim (ATRC), Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD), Qendra për Barazi dhe Liri (CEL), Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptasve (VoRAE), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), iu përgjigjën pozitivisht thirrjes për të qenë pjesë mekanizmit të ri koordinues siç është Miqtë e Akademisë.