Kategori
Uncategorized

Mbrojtja për gjyqtarët dhe prokurorët gjatë trajtimit të lëndëve të korrupsionit

Më 29 dhe 30 mars 2022, EULEX-i dhe projekti EUKOJUST së bashku me Akademinë e Drejtësisë së Kosovës organizuan një punëtori të përbashkët për gjyqtarët dhe prokurorët, veçanërisht për ata që punojnë në lëndët e profilit të lartë në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe atë të Gjykatës së Apelit, si dhe në PSRK. Tema e punëtorisë ishte mbrojtja që nevojitet dhe kërkohet për gjyqtarët dhe prokurorët gjatë trajtimit të lëndëve të korrupsionit dhe lëndëve tjera të ngjashme.

Tema ngjalli shumë interes për pjesëmarrësit duke mundësuar kështu një shkëmbim të frytshëm të ideve dhe përvojave profesionale. Dita e parë e seminarit iu kushtua krijimit të bazës ligjore ndërkombëtare dhe vendore për mbështetjen e kërkuar e që më pastaj vazhdoi me identifikimin dhe debatin e thuktë për rreziqet dhe kërcënimet e mundshme me të cilat gjyqtarët dhe prokurorët përballen ose mund të përballen. Gjatë ditës së dytë, u ftuan përfaqësuesit e mediave për një diskutim të thellë mbi rolin që media po luan në përcjelljen e mesazheve të ndryshme, ndërsa pjesa tjetër e ditës iu kushtua debatit gjithëpërfshirës lidhur me mënyrat dhe mekanizmat për adresimin e kërcënimeve të perceptuara.

Projektin EUKOJUST pati kënaqësinë që në partneritet me EULEX-in ta realizojnë këtë aktivitet përmes moderimit të punëtorisë dhe ofrimit të ekspertizës solide profesionale në debate. Të gjithë pjesëmarrësit e vlerësuan shumë një bashkëpunim të tillë ndërinstitucional brenda familjes së BE-së dhe sigurisht që ky do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Kategori
Uncategorized

Forcimi i qasjes në drejtësi përmes trajnimit gjyqësor në partneritet me shoqërinë civile

Të hënën, më 28 mars 2022, në Prishtinë u diskutua për nevojat dhe përfitimet e bashkëpunimit të ndërsjellë në mes të Akademisë së Drejtësisë së Kosovës (AD) dhe shoqërisë civile në Kosovë në një punëtori të organizuar bashkërisht nga AD-ja dhe Programi i BE-së për Sektorin e Drejtësisë, EUKOJUST.

Punëtoria kishte për qëllim të diskutonte krijimin e një mekanizmi koordinues konstruktiv në mes të Akademisë së Drejtësisë dhe organizatave të shoqërisë civile në ofrimin e aktiviteteve të trajnimit dhe të ngritjes së kapaciteteve në fushën e sundimit të ligjit nën ombrellën e Miqve të Akademisë.

Në përputhje me Strategjinë për Sundimin e Ligjit dhe Planin e Veprimit, projekti EUKOJUST po ndihmon në nënshkrimin e një Memorandumi të Mirëkuptimit (MM) ndërmjet organizatave të shoqërisë civile dhe Akademisë së Drejtësisë. Memorandumi i Mirëkuptimit parashikon përdorimin e përvojës dhe kapaciteteve të organizatave joqeveritare në promovimin e praktikave të mira për gjyqtarët, prokurorët dhe stafin mbështetës në çështjet që kanë të bëjnë me korrupsionin, krimin e organizuar dhe qasjen në drejtësi.

Në punëtori morën pjesë disa OJQ që përfaqësojnë çdo aspekt të shoqërisë civile dhe që janë të përfshira drejtpërdrejt në monitorimin e gjyqësorit, duke përfshirë ato që kanë rol aktiv në dhënien e komenteve për nismat legjislative. Organizatat e shoqërisë civile që morën pjesë në këtë punëtori, si Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ), Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim (ATRC), Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD), Qendra për Barazi dhe Liri (CEL), Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptasve (VoRAE), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), iu përgjigjën pozitivisht thirrjes për të qenë pjesë mekanizmit të ri koordinues siç është Miqtë e Akademisë.

Kategori
Uncategorized

Standardizimi i statusit të nëpunësve civilë në gjyqësor

Hartimi i koncept dokumentit për nëpunësit civilë të personelit administrativ të gjykatave dhe prokurorive ka hyrë në një fazë të rëndësishme. Gjatë një punëtorie dyditore të mbajtur në Pejë, përfaqësuesit e institucioneve përkatëse të sistemit gjyqësor të ndihmuar nga ekspertë të projektit EUKOJUST, të financuar nga BE-ja për reformën në drejtësi, dhanë një kontribut të çmuar në avancimin e punës për koncept dokumentin.

Pas një sesioni hyrës nga kryesuesi i Grupit Punues, Ruzhdi Osmani, dhe zëvendës kryesuesit, Shkëlzen Maliqi dhe Valdrin Krasniqi, si dhe Cristian Nicoara, zëvendës drejtues i ekipit të EUKOJUST, pjesëmarrësit u angazhuan në një debat thelbësor mbi koncept dokumentin, duke përfshirë Përkufizimin e problemit – diskutimin e analizave dhe të dhënave të mbledhura nga grupi punues; Diskutimi i kornizës ekzistuese ligjore – duke përfshirë dokumentet përkatëse të politikave, ligjet dhe aktet nënligjore; Diskutimi dhe hartimi i pjesës për shkaqet dhe pasojat e problemeve të identifikuara dhe përfshirja e palëve të interesuara; dhe Finalizimi i tabelës me kornizën ekzistuese ligjore dhe të politikave – të cilat analizuan institucionet dhe përgjegjësitë e tyre mbi çështjet e politikave.

Në kuadër të këtij aktiviteti Projekti EUKOJUST synon të ndihmojë institucionet vendore të përmirësojnë aftësitë menaxheriale të gjyqësorit, duke përfshirë administrimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës, gjykatave dhe prokurorive. Kështu, ky aktivitet nuk mbulon vetëm gjyqtarët dhe prokurorët, por në mënyrë të barabartë stafin që ofron mbështetje administrative, me fjalë të tjera, stafin që punon në procesin e dhënies së drejtësisë.

Kategori
Uncategorized

Diskutim përmbajtësor për standardet dhe parimet e hartimit të akteve juridike

Një diskutim i thellë dhe përmbajtësor për Standardet dhe Parimet e Hartimit të Akteve Juridike, u mbajt të hënën më 28 shkurt në Prishtinë gjatë një punëtorie të bashkë-organizuar nga Zyra Ligjore e Zyrës së Kryeministrit dhe projekti EUKOJUST.

Në punëtori u trajtuan çështje që kanë të bëjnë me interpretimin kushtetues të disa koncepteve siç janë koncepti i akteve juridike, hierarkia e tyre dhe kategorizimi i tyre. U diskutua gjerësisht edhe për dilemën se cilat janë autoritet që mund të nxjerrin akte juridike dhe, nëse munden, në çfarë cilësie i nxjerrin ato.

Diskutimi u zhvillua në një kohë kur autoritetet e Kosovës po presin projektligjin për aktet juridike. U diskutuan edhe disa çështje kushtetuese, të cilat janë parakusht për vazhdimin e punës për hartimin e manualeve përkatëse për standardet e hartimit të legjislacionit.

Projekti EUKOJUST, ndër të tjera, synon që ta ndihmojë zyrën ligjore të Zyrës së Kryeministrit në finalizimin e draftit të udhëzimit administrativ për standardet e hartimit të akteve juridike.