Kategori
Uncategorized

Hartimi i Koncept Dokumentit për realizimin e të drejtave civile është në proces

Sot në Pejë filloi një punëtori dyditore që për fokus ka Koncept Dokumentin për realizimin e të drejtave civile, duke përfshirë të drejtën për gjykim të drejtë brenda një kohe të arsyeshme, dhe është organizuar bashkërisht nga Ministria e Drejtësisë dhe projekti i financuar nga BE-ja EUKOJUST.

Punëtoria synon hartimin e një koncept dokumenti brenda një kohe të arsyeshme, duke bashkuar akterët kryesorë në institucionet e sundimit të ligjit dhe shoqërinë civile.

Me përbërje të larmishme pjesëmarrësish, përfshirë gjyqtarë, nëpunës civilë, ekspertë dhe anëtarë të shoqërisë civile, qysh në ditën e parë të punëtorisë pati një shkëmbim të frytshëm pikëpamjesh dhe kontributesh për të siguruar punë efektive në hartimin e Koncept Dokumentit.

Aktiviteti është pjesë e objektivit të 4-të të EUKOJUST-it, Qasja në drejtësi, mbështetja për Ministrinë së Drejtësisë në iniciativat legjislative për të drejtat civile, dhe në përputhje me Strategjinë e miratuar të Kosovës për Sundimin e Ligjit dhe Planin e Veprimit.

Strategjia parashikon një ndërhyrje që synon rritjen e efikasitetit dhe efektivitetit të mjeteve juridike përmes përmirësimit të garancive ligjore për mbrojtjen juridike drejt sigurimit të të drejtave themelore në kontestet penale, civile dhe administrative.

Qëllimi është t’u mundësohet qytetarëve të Kosovës të përfitojnë nga e drejta kushtetuese për një gjykim të drejtë brenda një kohe të arsyeshme dhe duke i bërë mjetet juridike të disponueshme dhe efektive në praktikë. Dokumenti do të ofrojë një sërë zgjidhjesh në lidhje me mjetet juridike efektive për rastet ku ka pasur vonesa në procedura gjyqësore.

Kategori
Uncategorized

Mbahet tryezë për ndërtimin e kapaciteteve statistikore dhe analitike

Programi i Bashkimit Evropian për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë – projekti EUKOJUST, më 1 shkurt 2022 organizoi një tryezë hibride për ndërtimin e kapaciteteve statistikore dhe analitike dhe mekanizmat e koordinimit të donatorëve. Siç edhe u theksua në fjalën hyrëse nga z. Cristian Nicoara, zëvendës udhëheqës i ekipit të EUKOJUST, tryeza mblodhi së bashku përfaqësues të respektuar të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe Ministrisë së Drejtësisë.

Përveç prezantimeve, gjetjeve dhe rekomandimeve kryesore të dhëna nga ekspertët e projektit EUKOJUST z. Kristian Turkalj, znj. Martina Vrdoljak dhe z. Enes Sedić, theks të veçantë mori – në kontekstin e miratimit të Strategjisë për Sundimin e Ligjit 2021-2026 – mënyra se si ndërlidhen të dhënat statistikore me objektivat konkrete, treguesit specifikë, matjen e progresit dhe vlerësimin e ndikimit dhe përse, me gjithë progresin e bërë, koordinimi ndërinstitucional dhe i donatorëve ende kërkon vëmendje.

Z. Besnik Ramosaj (Drejtor i Departamentit të Statistikave në KGJK) prezantoi llojet e raporteve statistikore që aktualisht mund të nxirren nga SMIL-i.

Temat e shtjelluara dhe prezantimet e bëra gjatë tryezës hapën dialog kuptimplotë dhe të fortë ndërmjet pjesëmarrësve.

Kategori
Uncategorized

Ndarja e pushteteve dhe pavarësia e gjyqësorit u diskutua në Prishtinë

Ndarja e pushteteve dhe pavarësia e gjyqësorit u diskutua në një tryezë të mbajtur në Prishtinë më 25 janar, organizuar nga EUKOJUST, projekti i financuar nga BE për reformën e sistemit të drejtësisë. Raporti për Ndarjen e Pushtetit dhe Pavarësinë e Gjyqësorit me zgjidhje kushtetuese krahasuese, jurisprudencën përkatëse të GJED-së dhe strukturën krahasuese të Ministrisë së Drejtësisë u  prezantua nga eksperti afatshkurter i EUKOJUST prof. Ivan Vanja Savić.

Ekspertët e EUKOJUST dhe zyrtarët e sistemit të drejtësisë së Kosovës (Enver Peci, Kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës,  Aleksandër Lumezi, Kryeprokuror i Shtetit, Blerim Sallahu, Zëvendësministër, Albert Zogaj, Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Jetish Maloku, Kryesus i Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Enver Fejzullahu Drejtor i Akademisë së Drejtësisë) paraqitën pikëpamjet e tyre dhe zhvillimin e një baze të përbashkët për bashkëpunim efektiv ndërmjet tri degëve të pushtetit brenda Sistemit Ligjor të Kosovës (legjislacion-ekzekutiv-gjyqësor) dhe gjetjen e mekanizmit për arritjen e një bashkëpunimi më të mirë për aktivitetet reformuese dhe për përmbushjen e kritereve për procesin integrues në BE, pa rrezikuar pavarësinë e gjyqësorit.

Kjo është e rëndësishme për arritjen e një kuptimi të përbashkët të kornizës në të cilën palët e veçanta të interesit veprojnë, si dhe gjetjen e mënyrave më të mira për bashkëpunim të ndërsjellë. Kjo është e nevojshme për reformat që janë thelbësore në proceset integruese evropiane të Kosovës.

Kategori
Uncategorized

Drejt një vizioni të qartë të kompetencave, roleve dhe përgjegjësive të Shërbimit Korrektues

Punëtoria treditore për Hartimin e Rregullores për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punëve në Shërbimin Korrektues të Kosovës, është mbajtur së fundi në Pejë, organizuar nga EUKOJUST.

Në një diskutim të hapur zyrtarët e Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe ekspertët ndërkombëtarë të EUKOJUST-it bashkërisht punuan në zhvillimin e një vizioni të qartë të kompetencave, roleve dhe përgjegjësive të Shërbimit Korrektues, për riorganizimin e brendshëm në Drejtorinë e Përgjithshme si dhe në institucionet korrektuese.

Aktiviteti ishte edhe një hap tjetër drejt objektivit të hartimit të një Rregulloreje e cila do të avancojë dhe zhvillojë shërbimin korrektues në Kosovë, si një mekanizëm i rëndësishëm në kuadër të të gjithë sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Reforma e organizimit të brendshëm synon avancimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës, funksionalitetin e tij, kushte më të mira për punonjësit e tij, si dhe trajtim më të mirë të të burgosurve sipas standardeve ndërkombëtare.