Reagimi i grave ndaj dhunës në familje dhe nxitja e institucioneve dhe shoqërisë civile në luftimin e këtij fenomeni negativ, u diskutuan të hënën, më 20 dhjetor 2021, në një tryezë të organizuar nga projekti i financuar nga BE-ja ‘EUKOJUST’, në partneritet me Ministrinë e Drejtësisë. Zyrtarë të institucioneve; Qeverisë, Kuvendit e shoqërisë civile paraqitën pikëpamjet e tyre mbi praninë e dhunës në familje në Kosovë dhe mënyrat për luftimin e saj.
E pranishme ishte edhe një viktimë e dhunës në familje, e cila po pas dhunës disa vjecare në familje po përballet me kërcënime të vazhdueshme në njërën anë, dhe mungesë trajtimi adekuar nga ana e sistemit të drejtësisë në Kosovë. Të pranishme në tryezë ishin Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputetja Duda Balje, përfaqësuesja e Rrjetit të Grave të Kosovës, Adelina Berisha, përfaqësuesja e Zyres së BE-së, Lumnije Azemi, si dhe përfaqësuesit e projektit të financuar nga BE, EUKOJUST, Volkmar Theobald, lider i ekipit dhe Bardhë Krasniqi, ekspertje e EUKOJUST për edukim juridik të publikut: dhuna në familje dhe grupet e margjinalizuara.
Projekti EUKOJUST dhe Zyra e BE-së në Kosovë u zotuan se do të ndihmojnë institucionet, përfshirë dhe shoqërinë civile me ekspertizë të nevojshmë për luftimin sa më efikas të dhunës në familje. EUKOJUST e ka një objektivë specifike që të forcojë qasjen në drejtësi për të gjithë qytetarët në Kosovë, veçanërisht në fushën e dhunës në familje dhe grupeve të margjinalizuara.