Më 29 tetor, EUKOJUST në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit dhe Ministrinë e Drejtësisë, organizoi një punëtori për të prezantuar Acquis e BE-së në Procedurat Penale. Punëtoria ishte pikënisje për qasjen tematike të shqyrtimit analitik të përafrimit të legjislacionit. Në të njëjtën kohë, punëtoria shërbeu si ngjarje informuese për shumë palë interesi dhe persona që procedurat penale i praktikojnë në punën e tyre të përditshme.Zëvendës Ministrja e Drejtësisë, Dr. Nita Shala, mbajti një fjalim mirëseardhjeje me ç ‘rast ofroi mbështetjen e Ministrisë së Drejtësisë dhe të Qeverisë lidhur me ndryshimin e qasjes në përafrimin e legjislacionit me Acquis e BE-së.Në fokus të punëtorisë ishte prezantimi i Raportit mbi Gjashtë direktivat e BE-së për Procedurat Penale, përgatitur nga Eksperti afatshkurtër i EUKOJUST, Dr. Tony Marguery. Raporti përshkruan Acquis e BE-së në procedurat penale, me theks të veçantë në vështirësitë e organeve transpozuese si dhe interpretimin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë dhe Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në punëtori morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Zyra e Kryeministrit, gjyqtarë dhe prokurorë, zyrtarë policorë, avokatë dhe zyrtarë nga Shërbimi Korrektues. Të gjithë pjesëmarrësit u angazhuan në diskutim aktiv dhe frytdhënës. Eksperti Afatshkurtër, Dr. Marguery dhe Eksperti Afatgjatë Dr. Idlir Peçi nga EUKOJUST, e udhëhoqën diskutimin dhe për të gjitha temat që u diskutuan ofruan një pasqyrë të praktikave gjyqësore nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë dhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kjo ishte punëtoria e parë nga disa sosh që EUKOJUST ka planifikuar të organizojë për Acquis të BE-së dhe përafrimin e legjislacionit.