Projekti EUKOJUST promovon praktikat e mira dhe fuqizon viktimat nga komunitetet e cenueshme për t’u afruar dhe kërkuar shërbimet e Zyrës për Mbrojtjen dhe Ndihmë Viktimave (ZMNV). Raporti i vlerësimit, i cili sot u prezantua para shefit të ZMNV-së, z. Basri Kastrati, mbrojtësve të viktimave, anëtarëve të KPK-së, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare, theksoi rëndësinë e forcimit dhe profesionalizimit të zyrës përgjegjëse për përfaqësimin dhe mbrojtjen e të drejtave të viktimave.
Raporti, i hartuar nga ekspertja e projektit EUKOJUST mbi qasjen në drejtësi, Alina Matache dhe këshilltarja ligjore e EUKOJUST-it, Nita Bejta, ofroi disa rekomandime të tilla si ofrimi i trajnimeve strategjike të përshtatura dhe të planifikuara me qëllim të specializimit të MV-ve në fusha të veçanta, ofrimi i burimeve dhe lehtësirave adekuate njerëzore për t’i mbështetur viktimat me ndihmë individuale, mundësimi i balancit gjinor në secilën zyrë rajonale, ofrimi i trajnimeve të detyrueshme të fokusuara në qasjen me në qendër viktimën, paraqitja e një sistemi të kontrollit të cilësisë përmes monitorimit dhe vlerësimit të ofrimit të shërbimeve, mbajtja e fushatave përgjatë tërë vitit dhe paraqitja e një forme të procedurave të ankesave ose procedurave të kundërshtimit, ku viktimat ose akterët e tjerë mund të paraqesin një ankesë për mospërputhje me standardet.
EUKOJUST është i përkushtuar që të ofrojë aktivitete në të ardhmen rreth ndërtimit të kapaciteteve, të cilat do të përqendrohen në qasjen e përqendruar tek viktimat, tek afrimi i qytetarëve me institucionet shtetërore për të kërkuar mbrojtje.
Projekti promovon punën me empati dhe në mënyrë të koordinuar me të gjitha institucionet në interes të përmirësimit të qasjes në drejtësi për njerëzit në nevojë dhe grupet e margjinalizuara, në përputhje me nevojat individuale të viktimave.